Autoritetet shtetërore ishin në dijeni të rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha gati dy muaj përpara 20 shkurtit.
Kjo provohet nga një dokument i kohës, ku ministri i Brendshëm, Hekuran Isai i dërgon një letër Ramiz Alisë dhe Adil Çarçanit.
Në 26 dhjetor 1990, Isai njofton eprorët e tij për informacionin e ardhur nga dega e Vlorës.
“Dega e Punëve të Brendshme Vlorë informon, se më datën 26.12.1990, një grup studentësh do të hedhin në erë monumentin e shokut Enver Hoxha Tiranë. Gjithashtu, më datën 30-31.12.1990 do të zhvillohet një demonstratë e madhe para Komitetit Qendror të Partisë në mbështetje të Partisë Demokratike, për të kërkuar lejimin e financimit të saj nga jashtë. Po marrim masa për verifikimin e të dhënës dhe parandalimin e ngjarjeve”, shkruan Hekuran Isai.

Historiani Hasan Bello, në një intervistë për Exclusive në Top Channel thotë se Ramiz Alia bëri një lojë të dyfishtë në ato zhvillime, kur u mundua që të gjithë përgjegjësinë t’ia linte Sigurimit të Shtetit.
“Nga dëshmitë që kanë ish-funksionarë të Sigurimit, kishin informacion 3 muaj përpara që do rrëzohej busti i diktatorit. Pak orë përpara, nga sheshi kryesor ishte hequr busti i Stalinit dhe Leninit. Në këtë moment, oficerë të Sigurimit të Shtetit, kishin marrë në telefon Ramizin dhe ministrin e Brendshëm Hekuran Isai për t’I njoftuar që kishin informacion që do të rrëzohej busti i diktatorit. Këta nuk e kishin hapur telefonin, duke ndjekur një taktikë që të gjithë përgjegjësinë t’ia linin Sigurimit të Shtetit”, thotë Bello.
“Ramiz Alia dhe një pjesë e drejtuesve të kohës ishin të detyruar të bënin një lojë të dyfishtë, sepse nga jashtë kishin presionin e shteteve perëndimore për liberalizimin e sistemit dhe nga ana tjetër kishin presionin e brendshëm nga nomeklatura dhe funksionarët e lartë të regjimit komunist”.
Top Channel