Në njësitë administrative Dërmenas dhe Topojë të Bashkisë Fier, 4 nga 6 kullat e ujit janë jashtë funksionit, ndërsa strukturat në fshatrat Shën Pjetër dhe Topojë paraqesin rrezik serioz për banorët.
Të ndërtuara rreth gjysmë shekulli më parë për furnizimin me ujë të pijshëm, këto kulla dikur garantonin shërbim 24 orë për disa fshatra të zonës. Pas viteve ’90 ato u lanë në mëshirë të fatit dhe prej më shumë se një dekade kanë nisur degradimin e pandalshëm. Sot, të rrënuara dhe pa asnjë funksion, janë kthyer në struktura të rrezikshme që mund të shemben në çdo moment.
Banorët shprehen se, pavarësisht ankesave të vazhdueshme, situata mbetet e pandryshuar. Sipas tyre, copa betoni shkëputen herë pas here nga amortizimi, duke rrezikuar jo vetëm familjet që jetojnë pranë, por edhe automjetet që qarkullojnë në aksin rrugor drejt bregdetit.
Aktualisht furnizimi me ujë realizohet përmes një rrjeti tjetër, megjithatë banorët theksojnë se shërbimi ka qenë më i qëndrueshëm kur kullat ishin funksionale. Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente, jo vetëm për sigurimin e strukturave ekzistuese, por edhe për riparimin dhe rivënien e tyre në punë.
Sipas inxhinierëve hidroteknikë, rikonstruksioni i kullave nuk kërkon kosto të lartë financiare, por paralelisht nevojitet një studim i detajuar i linjave të ujësjellësit për të garantuar funksionim të plotë dhe afatgjatë.
Top Channel