Kosova dhe Shqipëria janë ndër pesë vendet e para që do dërgojnë trupa për ofrimin e sigurisë në Gaza në kuadër të Bordit të Paqes.
Në situatën gjeopolitike në botë, ekspertët e sigurisë e konsiderojnë si një mundësi të mirë pjesëmarrjen e dy vendeve në nismën e presidentit amerikan Donald Trump.
“Është një nismë të cilën të dyja shtetet, edhe Kosova edhe Shqipëria, e kanë kapur në momentin e duhur, në situatën kur bota po vlon prej krizave të ndryshme gjeostrategjike dhe të sigurisë. Kosova dhe Shqipëria duhet ta kenë të qartë rreshtimin dhe orientimin e vet politik“, shprehet ish-koloneli Hysen Gecaj.
Forca e Sigurisë së Kosovës nuk e ka përmbushur në tërësi fazën e tranzicionit në ushtri, por shërbimi i tillë, sipas ekspertëve, ndihmon në afirmim, derisa mund të jetë i frytshëm edhe në rrugën drejt anëtarësimit në NATO.
“Dihet që FSK-ja nuk i ka të përmbyllura të gjitha kapacitetet e saj, por ka mjaftueshëm njësi dhe staf profesional të cilët mund të kontribuojnë shumë edhe në këtë mision. Është një momentum i përshtatshëm për Kosovën dhe FSK-në që të përafrohet dhe të bëhet pjesë e NATO-s”, shton Gecaj.
Shërbimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese konsiderohet edhe si forcim i mëtejmë i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Kjo përafron shumë më tepër edhe ushtritë të cilat marrin pjesë në atë mision dhe jep një mundësi në kuptimin e ngritjes profesionale dhe këmbimit të përvojave, por edhe forcon një partneritet të fuqishëm të mbrojtjes dhe në kuptimin politik me SHBA-të dhe Izraelin”.
Pesë vendet e para që kanë angazhuar trupa për të shërbyer në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese janë Indonezia, Maroku, Kazakistani, Kosova dhe Shqipëria. Ndërkohë, Egjipti dhe Jordania kanë marrë përsipër të trajnojnë policinë.
Forca Ndërkombëtare do të nisë me dislokimin në Rafah, në jug të Gazës, dhe plani është të përdoren 20 mijë trupa dhe të trajnohen 12 mijë policë.
Top Channel