Bllokohet rruga drejt juglindjes/ Aksi Librazhd–Pogradec, nuk lejohet asnjë mjet të kalojë. Një urë rrezikon të shembet

21/02/2026 19:44

ARRSH ka bllokuar tërësisht qarkullimin e mjeteve në korridorin e VIII për shkak të rrezikshmërisë nga rrëshqitja e tokës pranë fshatit Dragostunjë.

Cedimi i një ure ka bërë që inxhinierët ta vlerësojnë të pakalueshme rrugën e për pasojë bllokimin e saj deri në krijimin e një bypass të sigurt për qarkullimin.

Mëngjesin e kësaj të shtune qarkullimi u bllokua për mjetet e tonazhit të rëndë, por situata erdhi në përkeqësim pas çarjes 29 cm të urës që rrezikon të bjerë. ARRSH gjykon se shkak për këtë situatë është moti i keq.

Policia ka ngritur postblloqe në të gjithë gjatësinë e rrugës për të mos lejuar lëvizjen ndërsa qytetarët janë detyruar të marrin rrugën në këmbë në disa kilometra.

Sipas specialistëve rrëshqitja ka ardhur e tërhequr nga poshtë për shkak të vërshimit të lumit ndërkohë Top Channel disponon pamjet që pikërisht në këtë zonë disa ditë më parë lumi është shfrytëzuar masivisht për marrjen e inerteve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB