Eksportet europiane të çelikut drejt SHBA-së ranë me 30% në periudhën ndërmjet qershorit dhe dhjetorit 2025 krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, sipas të dhënave të fundit të Eurostat të analizuara nga Eurofer, grupi i industrisë me seli në Bruksel.
Ekspertët thonë se kjo rënie nxjerr në pah ndikimin e tarifave 50% të SHBA-së mbi çelikun e BE-së, edhe pasi blloku europian dhe SHBA nënshkruan një marrëveshje tregtare në korrik 2025 që parashikon një tarifë të përgjithshme 15% të SHBA-së mbi mallrat e BE-së. Çeliku u përjashtua nga ajo marrëveshje dhe bisedimet për zbutjen e detyrimeve, mbeten të bllokuara.
“Një rënie prej 30% e eksporteve të çelikut drejt SHBA-së brenda vetëm gjashtë muajsh është një sinjal i qartë se tarifat e ashpra 50% të vendosura nga qeveria amerikane mbi çelikun e BE-së po dëmtojnë industrinë tonë,” u shpreh kreu i Eurofer, Axel Eggert. “Vendimi i SHBA-së për të përfshirë produkte të përpunuara të çelikut nga BE-ja, si makineritë, do të ketë një tjetër ndikim të madh negativ mbi ne dhe klientët tanë europianë,” shtoi ai.
Uashingtoni vendosi tarifa 50% mbi çelikun dhe aluminin e BE-së në qershor 2025 dhe në muajin gusht, i zgjeroi masat në më shumë se 400 produkte çeliku dhe alumini. SHBA i ka paraqitur tarifat si një mburojë ndaj vërshimit të mallrave kineze që kanë përmbytur tregjet globale, përfshirë Europën.
Me eksportet kineze që po ridrejtohen gjithnjë e më shumë nga SHBA drejt BE-së, Komisioni Europian propozoi më 7 tetor 2025 të përgjysmojë sasinë e çelikut që lejohet të hyjë në bllok pa tarifa dhe të vendosë një tarifë 50% mbi importet që tejkalojnë kuotën prej 18.3 milionë tonësh në vit. Propozimi duhet të miratohet nga legjislatori i BE-së.
Ndërkohë, Brukseli shpreson të rihapë bisedimet me Shtëpinë e Bardhë për të siguruar detyrime më të ulëta mbi çelikun europian.
Top Channel