Analiza/ Korridori tetë, i vetmi aks lindje- perëndim
Nga Albert Prenkaj
Roptura e paralajmëruar e rendit botëror në Davos shënoi agimin e rendit të ri botëror, në të cilin shtete të vogla si Shqipëria dhe Kosova, si dhe vendet e tjera të rajonit, do të duhet të navigojnë me kujdes për të akomoduar interesat e qytetarëve dhe të shtetit. Rikalibrimi i politikës së jashtme, duke projektuar lundrimin mbi parametrat realë, përfshin, pos tjerash, përshtatjen e shërbimit të jashtëm, politikës së jashtme dhe proceseve nëpër të cilat projekcionet ndërkombëtare paralajmërojnë akomodime strategjike.
Një shërbim i jashtëm modern duhet të jetë i gatshëm të akomodojë resurset shtetërore dhe të ketë kapacitet të koordinojë me aleatët dhe miqtë, përballë sfidave të së ardhmes. Ligji për Shërbimin e Jashtëm i Republikës së Shqipërisë, i votuar në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, është një instrument tejet i rëndësishëm për procesin e integrimit evropian, sepse, siç theksoi Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, “vendos standarde të larta profesionalizmi, meritokracie, transparence dhe koordinimi institucional”. Sepse shërbimi i jashtëm është fytyra përfaqësuese e shtetit, vija e parë frontale e përfaqësimit shtetëror! Por edhe softueri i krijimit të politikës së jashtme të vendit.
Ligji për Shërbimin e Jashtëm bën pjesë në ligjet organike shtetërore që përcaktojnë konturën ligjore të një shteti, e në këtë rast të Shqipërisë, e cila po lëviz me hapa të sigurt drejt integrimit evropian. Duke qenë i tillë, ky ligj hyn në rangun e ligjeve “lex specialis”, duke qenë i veçantë për nga rëndësia normative, si dhe për nga objektivi shtetëror dhe struktura profesionale. Ky shërbim i takon rangut të trajtimit të ushtrisë, policisë, gjykatave të larta dhe shërbimeve të tjera të veçanta shtetërore, andaj kërkon edhe trajtim të posaçëm.
Fokusi i ligjit në forcimin e shërbimit të jashtëm, ngritjen e kapaciteteve profesionale përmes thithjes së përvojave ndërkombëtare, është esencial.
Pa dyshim se për vende si Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera të rajonit, gjatë përpilimit të ligjit për shërbimin e jashtëm duhet të bazohen në praktikat më të mira ligjore, p.sh. të vendeve të Evropës Qendrore dhe atyre të rajonit. Gjatë hulumtimit të ligjeve për shërbimin e jashtëm, tërheqin vëmendjen disa modele serioze të shqyrtuara me kujdes, si p.sh.: Gesetz über den Auswärtigen Dienst (GAD) (Ligji për Shërbimin e Jashtëm i Republikës Federale të Gjermanisë); Bundesgesetz über Aufgaben und Organisation des auswärtigen Dienstes – Statut (Ligji federal për detyrat dhe organizimin e shërbimit të jashtëm të Austrisë – Statuti); Ordinamento dell’Amministrazione degli Affari Esteri (Rregullimi i Administratës së Punëve të Jashtme të Italisë), por edhe Ligji për Punët e Jashtme i Kroacisë. Janë këto modele që, pa mëdyshje, i shërbejnë draftimit të ligjit për shërbimin e jashtëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri.
Objektivat e Politikës së Jashtme të shtetit përcaktohen me Strategjinë Kombëtare apo Doktrinën Shtetërore. Organogrami i Ministrisë së Jashtme, bazuar në ligj, aranzhohet apo i përshtatet prioriteteve afatmesme të Politikës së Jashtme. Ai (organogrami) paraqet strukturën që ka për detyrë implementimin e synimeve të Politikës së Jashtme dhe Doktrinës Kombëtare. Dhe si vihet në jetë Doktrina Kombëtare? Softueri i Politikës së Jashtme duhet të qëndrojë mbi supet e drejtorive politike të Ministrisë, të cilat krijojnë politika orientuese shtetërore, e që vihen në jetë nga ministri me kabinetin e tij/saj.
Me nxjerrjen e ligjit të ri për Shërbimin e Jashtëm, Republika e Shqipërisë po i jep formë dhe orientim shërbimit të jashtëm në funksion të politikës së jashtme dhe Doktrinës Kombëtare, derisa Kosovës i mbetet të reflektojë dhe të marrë model në trajtimin e strategjisë shtetërore dhe reformës aq shumë të paralajmëruar, që nuk po vjen
*Ish-sekretar i përgjithshëm i MPJ-së, Kosovë
Top Channel