35 vite më parë u ndërmor një ndër aktet më te guximshme për shkatërrimin e sistemit komunist, kur mijëra studentë dhe qytetarë u mblodhën në sheshin Skënderbej për të rrëzuar statujën e diktatorit.
Drejtoresha e IDMC, Jonila Godole u shpreh: “Statujat mund të bien, simbolet mund të bien, por shoqëria vazhdon të ketë buste të vogla, që edhe pas 35 vitesh është shumë e vështirë të bien”.
Por, sa ka reflektuar shoqëria shqiptare mbi të shkuarën e vetë?
“Nuk ka pasur vullnet politik për të dënuar krimet si shtet, nuk ka vullnet të shoqërisë për t’u përballur me të shkuarën. Sepse vetëm shoqëria duhet të bënte një proces shumë të dhimbshëm të të parit të vetes më pasqyrë dhe të marrë përgjegjësi për atë rol që ka pasur secili. Pa këtë, nuk mund të shërohet trauma. Ka një shpresë me brezin e ri që mund të jetë më objektiv dhe të gjykojë ftohtë mbi të shkuarën”, tha Godole.
Në kuadër të Ditëve të Kujtesës, në 35-vjetorit e rrëzimit të statujës u mbajt një konferencë nga Instituti për Demokraci, Media & Kulturë.
Drejtori i Konrad-Adenauer në Shqipëri, Thomas Kunze tha: “Rënia e statujës përcaktoi rënien e regjimit komunist në Shqipëri, ku regjimi ishte më i egër se kudo tjetër. Të mbajmë gjallë kujtimin, kjo është detyra që ju i keni vënë vetes, është detyra e të gjitha shoqatave dhe organizatave të ish të përndjekurve politikë”.
Çfarë ndodh pasi bie një simbol? Si i kalojnë shoqëritë tranzicionet mes kujtesës, debatit dhe vlerave demokratike?
Afrim Krasniqi, studiues i historisë politike u shpreh: “Imagjinoni, në dhjetor 1990 lejohet pluralizmi politik dhe Shqipëria vijon demokracinë duke mbajtur statujën në qendër dhe duke e mbrojtur diktatorin me ligj, ky është një paradoks i madh. Në fakt, një muaj pas rrëzimit të bustit, 1 milion shqiptarë votuan pro partisë së punës, elita e re politike doli nga sistemi komunist që u zhvendos në demokraci”.
Rënia e simboleve nuk është fundi i historisë, por është një thirrje për të reflektuar dhe për të vepruar
“Demokracia nuk është dhuratë, kërkon vigjilencë. Çdo qytetar duhet të ndihet garantues dhe aksioner i saj”, tha deputeti i PD, Agron Gjekmarkaj.
Historianë, publicistë dhe studiues nga Gjermania, Polonia, Rumania, Hungaria sollën analizuan dhe krahasuan mënyrën si u themelua demokracia në këto vende ish-komuniste.
Top Channel