SHBA-të do të sulmojnë Iranin që këtë fundjavë? CNN: Ushtria është përgatitur, Trump ende s’ka vendosur

19/02/2026 14:35

Ushtria amerikane është e përgatitur të godasë Iranin që këtë fundjavë, megjithëse Presidenti Donald Trump ende nuk ka marrë një vendim nëse do të autorizojë një lëvizje të tillë, raporton CNN.

Shtëpia e Bardhë është informuar se ushtria mund të jetë gati për një sulm në fundjavë, pas një grumbullimi të konsiderueshëm të aseteve ajrore dhe detare në Lindjen e Mesme në ditët e fundit, thanë burimet.

Por një burim paralajmëroi se Trump ka argumentuar privatisht si pro ashtu edhe kundër veprimeve ushtarake dhe ka pyetur këshilltarë dhe aleatë se cili është kursi më i mirë i veprimit.

Zyrtarët më të lartë të sigurisë kombëtare të administratës u takuan të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar situatën në Iran, tha një burim i njohur me takimin.

Trump u informua gjithashtu të mërkurën nga i dërguari i posaçëm Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit, në lidhje me bisedimet e tyre indirekte me Iranin që ndodhën një ditë më parë. Nuk ishte e qartë nëse Trump do të merrte një vendim deri në fundjavë.

“Ai po mendohet lidhur me këtë lëvizje”- tha një burim.

Ndërkohë, Izraeli ka rritur nivelin e gatishmërisë mes indikacioneve në rritje për një sulm të mundshëm të përbashkët SHBA-Izrael ndaj Iranit , thanë burime izraelite për CNN. Ofensiva e mundshme, nëse autorizohet nga Trump, pritet të tejkalojë luftën 12-ditore në qershor dhe do të përfshijë sulme të koordinuara si nga SHBA-ja ashtu edhe nga Izraeli.

Nga ana tjetër, edhe Irani po fortifikon disa nga objektet e tij bërthamore , sipas imazheve të reja satelitore dhe analizave të një grupi ekspertësh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB