LIVE/ Takimi i parë i Bordit të Paqes, presidenti Trump takohet me kryeministrin Rama, përshëndet edhe Osmanin: Shqipëria dhe Kosova do të angazhohen me trupa ushtarake në Gaza

19/02/2026 15:57

Instituti amerikan i Paqes në Uashington nisi sot takimin e parë të Bordit të Paqes të krijuar nga presidenti Donald Trump për zgjidhjen e krizave dhe konflikteve botërore.

Shqipëria është pjesë e takimit, e përfaqësuar nga kryeministri Rama, si dhe Kosova e përfaqësuar nga Presidentja Vjosa Osmani. Sipas axhendës së publikuar, mes 26 folësve është edhe kryeministri Rama i cili do të firmosë edhe marrëveshjen për anëtarësimin e Shqipërisë si anëtare themeluese e organizatës.

I pari që nisi fjalimin ishte presidenti Trump, i ndjekur nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e më pas nga personi që Trump i ka dorëzuar çelësat e negociatave për zgjidhjen e konflikteve në botë, Steve Witkoff.

Bordi, i krijuar për rindërtimin  dhe zgjidhjen përfundimtarë të konfliktit në Gaza, do të njihet edhe me njoftimin për 5 miliardë dollarët që shtetet anëtare kanë ofruar për këtë qëllim. Rindërtimi i Gazës pritet të kushtojë 70 miliardë dollarë, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, Bankës Botërore dhe Bashkimit Europian, pas më shumë se dy vitesh lufte.

16:52 Bordi i Paqes në Uashington, gjenerali i lartë amerikan deklaron: Shqipëria dhe Kosova mes 5 vendeve të para me trupa ushtarakë në terren

Në Uashington po mbahet takimi inaugurues i Bordit të Paqes, ku prezente janë edhe Shqipëria me Kosovën. Në fjalën e tij, gjenerali i lartë amerikan, Jasper Jeffers III, foli për planin ushtarak që do të përdoret në terrenin e Gazës. Ai tha se mes pesë vendeve të para që do të angazhonin trupa ushtarakë në terren ishin edhe Shqipëria me Kosovën.

16:29 “FIFA ka mbledhur miliarda dollarë për një projekt në Gaza”/ Donald Trump në Bordin e Paqes: Kam takuar Ronaldon, falënderoj Infantinon

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka mbledhur Bordin e parë të Paqes në Uashington. Në fjalën e tij, ai u shpreh se në këtë Bord është bashkuar edhe FIFA, që sipas tij, ka mbledhur miliarda dollarë për një projekt në Gaza.

16:25 “Pak fjalë, shumë veprime”/ Mesazhi i Trump nga Uashingtoni: SHBA do të akordojë 10 miliardë dollarë për Bordin e Paqes

Trump ka ndarë një mesazh gjatë fjalës së tij në Uashington, ku u shpreh se SHBA do të akordojë 10 miliardë dollarë për Bordin e Paqes.

16:19 Bordi i Paqes, Donald Trump: Shqipëria dhe Kosova do të angazhohen me trupa në Gaza

“Dua të falënderoj Indonezinë. Një vend i mrekullueshëm. Maroku do të angazhohet. Shqipëria dhe Kosova do të kenë gjithashtu trupa në terren”, tha Trump.

16:19 “Hamasi më premtoi se do heqë dorë nga armët”/ Trump nga Bordi i Paqes: Do t’i japim fund programit bërthamor të Iranit

Donald Trump është shprehur se: Hamasi më ka premtuar se do të heqë dorë nga armët. Në këto momente Gaza nuk është një vend terrorist. Jam i kënaqur të them se disa vende kanë kontribuar me më shumë se 7 miliardë dollarë. Faleminderit, djema. Çdo dollar i shpenzuar është investim për stabilitetin që është kaq i rëndësishëm. Janë njerëz të zgjuar, ndonjëherë shumë energjikë, por njerëz të mrekullueshëm. Bota po pret për Hamasin dhe kjo do të ndodhë. Kemi Libanin me disa probleme, për të cilat po punojmë. Më e rëndësishmja është t’i japim fund programit bërthamor të Iranit. Shumë në Europë dëshirojnë të jenë anëtarë të përhershëm. Kemi marrëdhënie shumë të mira me Europën, kemi kreun e NATO-s që po bën një punë të shkëlqyer. Unë kujdesem që të shpëtoj jetë njerëzish, nuk dua që njerëzit të vriten edhe pse janë vende shumë larg SHBA-së.

16:06 Bordi i Paqes në Uashtington, Trump mesazh Kosovës dhe Serbisë: Nëse nuk shkoni mirë, më merrni në telefon

Donald Trump është shprehur se: Herën e fundit që isha në Kinë, presidenti atje më trajtoi shumë mirë, më organizoi një mikpritje të jashtëzakonshme. Presidentit i thashë që herën tjetër që të vij në Kinë dua një mikpritje edhe më madhështore. Pastaj punësuam Kushnerin dhe ai është i dërguari i paqes. Duke qenë se Irani tani është një çështje e rëndësishme, kemi pasur bisedime me ta, ende nuk kemi arritur një marrëveshje. Duhet të kemi një marrëveshje, përndryshe do të ndodhin gjëra të këqija. Kosova–Serbia, keni bërë një punë të jashtëzakonshme. Nëse nuk shkoni mirë, më merrni në telefon dhe do ta zgjidhim.

15:48  Trump në Bordin e Paqes në Uashington: Jemi të nderuar që është bashkuar kryeministri Edi Rama, Osmani po bën një punë të madhe

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka përshëndetur kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën dhe presidenten e Kosovës Vjosa Osmanin, gjatë fjalimit të tij në Bordin e Paqes që po mbahet në Uashington.

15:47  “Kemi punuar bashkë për të siguruar një të ardhme të mirë për popullin e Gazës”, Trump: Lufta kushton më shumë se sa të bësh paqe

Në një fjalim të mbajtur në Bordin e Paqes, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Presidenti amerikan Donald Trump theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për të garantuar një të ardhme më të mirë për popullin e Gazës.

15:42 Trump nis fjalimin në Bordin e Paqes: Disa liderë po bëjnë naze, disa të tjerë nuk i duam ne

Donald Trump është shprehur se: Sukseset që kemi arritur, në fillim më thanë që nuk realizoheshin për 4 vite, u arritën brenda një viti. Arritje financiare të jashtëzakonshme, kemi bërë një punë të mrekullueshme. Bordi i Paqes është një nga gjërat më të arritura. Disa nga luftërat zgjasin prej dhjetëra vitesh dhe ne i kemi dhënë fund brenda dy ditëve.
Gaza është çështje komplekse, Marco Rubio po na ndjek, çfarë pune e mrekullueshme është bërë. Sot është një nder i madh që ju mirëpres në Institutin e Paqes. Është bordi më i fuqishëm, këtu bën pjesë pjesa më e madhe e liderëve botërorë. Disa po bëjnë naze, por shumë drejtues e kanë pranuar menjëherë. Ka disa që nuk duam t’i kemi

15:17 Trump mbërrin në Bordin e Paqes, takohet me kryeministrin Edi Rama

15:12 Nis takimi inaugurues i Bordit të Paqes/ Foto familjare e liderëve ndërkombëtarë, të pranishëm Rama dhe Osmani

Sapo ka nisur takimi inaugurues i Bordit të Paqes në Uashington. Takimi ka nisur me një foto familjare, ku të pranishëm janë kryeministri Edi Rama dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ndërkohë sapo është bashkuar edhe presidenti i SHBA, Donald Trump.

14:14 Ministri Demo ndan foton nga Uashingtoni, kryeministri Edi Rama rrugës për mbledhjen e Bordit të Paqes

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo ka ndarë foton e kryeministrit Edi Rama, teksa ndodhet në automjet, rrugës për në Bordin e Paqes. Kryeministri Edi Rama do të përfaqësoje Shqipërinë në takimin e parë inagurues të Bordit të Paqes, ndërsa pritet të mbajë edhe një fjalim. “Krenar për Shqipërinë. Rrugës për në mbledhjen e Bordit të Paqes”-shkruan ministri Demo, në foton me Ramën nga Uashingtoni.

13:51 Bordi i Paqes i Trump mblidhet për herë të parë, refuzojnë pjesëmarrjen Britania, Gjermania dhe Franca. Mblidhen 5 miliardë dollarë për Gazën

Mbledhja inauguruese e Bordit të Paqes të presidentit amerikan Donald Trump, iniciativa e tij për t’i dhënë fund luftës në Gaza, nis sot me përfaqësues nga më shumë se 45 vende që pritet të marrin pjesë.

Megjithatë, disa aleatë të mëdhenj evropianë, përfshirë Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe Francën, kanë refuzuar ftesat, duke shprehur dyshime për mënyrën e funksionimit të grupit dhe mundësinë që ai të rivalizojë Kombet e Bashkuara. Në bord nuk ka përfaqësim palestinez, ndërsa Izraeli mban një vend.

13:50 Bordi i Paqes në Uashington, zbardhet axhenda e takimit 

Instituti Amerikan i Paqes “Donald J. Trump”
Në orën 12:15- Fillojnë mbërritjet e delegacioneve
Në orën 14:05- Përfundojnë mbërritjet e delegacioneve-
Në orën 14:40- Foto familjare
15:00- Fillon mbledhja

Fjalë mirëseardhjeje dhe hapëse nga Presidenti dhe Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara. Prezantime në tryezë të rrumbullakët & Përditësime kryesore

1.Sekretari Rubio – Natyra historike e mbledhjes së BoP
2. Steve Witkoff – Suksesi në lirimin e pengjeve dhe koordinimi i ndërmjetësve
3. Ambasadori Mike Waltz – Ndihma dhe adresimi i nevojave aktuale të Gazës
4.Dr. Ali Shaath – NCAG, e ardhmja e Gazës
5. Nick Mladenov – OHR & Demilitarizimi
6. Gjeneral Major Jeffers – ISF & Policia e Gazës
7.Tony Blair – Ngritja e kapaciteteve & Zhvillimi organizativ
8. Yakir Gabay – Rindërtimi / Plani i Përgjithshëm (Master Plan)
9.Liran Tancman – Zinxhiri i furnizimit & Teknologjia
10.Marc Rowan – Fondi Sovran i Pasurisë
11.Presidenti i Bankës Botërore, Ajay Banga – Përgjegjësia fiskale / transparenca dhe Fondi Sovran
12.Jared Kushner – Rezultate të matshme të BoP në Gaza dhe ndikimi i ardhshëm i BoP
Video për rindërtimin e Gazës
Ndërhyrjet
Rendi:
1. Bahreini – Mbreti Hamad bin Isa Al Khalifa
2. Kazakistani – Presidenti Kassym-Jomart Tokayev
3. Uzbekistani – Presidenti Shavkat Mirziyoyev
4. Indonezia – Presidenti Praboëo Subianto
5. Rumania – Presidenti Nicușor Dan
6. Shqipëria – Kryeministri Edi Rama
7. Egjipti – Kryeministri Mostafa Madbouly
8. Katari – Kryeministri Mohammed Al-Thani
9. Emiratet e Bashkuara Arabe – Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme Sheikh Abdullah Bin Zayed Bin Sultan Al-Nahyan
10. Maroku – Ministri i Jashtëm Nasser Bourita
11. Turqia – Ministri i Jashtëm Hakan Fidan
12. Kuvajti – Ministri i Jashtëm Sheikh Jarrah Jaber Al-Ahmad Al-Sabah
13. Arabia Saudite – Ministri i Shtetit për Punët e Jashtme Adel Al-Aljub

Top Channel

DIGITALB DIGITALB