Nis takimi inaugurues i Bordit të Paqes/ Foto familjare e liderëve ndërkombëtarë, të pranishëm Rama dhe Osmani
Mbledhja inauguruese e Bordit të Paqes të presidentit amerikan Donald Trump, iniciativa e tij për t’i dhënë fund luftës në Gaza, nis sot me përfaqësues nga më shumë se 45 vende që pritet të marrin pjesë.
Megjithatë, disa aleatë të mëdhenj evropianë, përfshirë Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe Francën, kanë refuzuar ftesat, duke shprehur dyshime për mënyrën e funksionimit të grupit dhe mundësinë që ai të rivalizojë Kombet e Bashkuara. Në bord nuk ka përfaqësim palestinez, ndërsa Izraeli mban një vend.
Samiti zhvillohet gati tre muaj pasi Këshilli i Sigurisë i Kombeve të Bashkuara miratoi një plan armëpushimi të mbështetur nga SHBA, i cili përfshin një mandat dyvjeçar për Bordin e Paqes për të mbikëqyrur çmilitarizimin dhe rindërtimin e Gazës. Çështje kyçe që mbeten të pazgjidhura përfshijnë çarmatimin e Hamas, tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza, shkallën e rindërtimit dhe rrjedhën e ndihmës humanitare në enklavë.
Trump njoftoi para takimit se anëtarët e bordit kanë premtuar 5 miliardë dollarë (3.7 miliardë paund) për përpjekjet e rindërtimit, një pjesë e vogël krahasuar me 70 miliardë dollarët (52 miliardë paund) që nevojiten për të rindërtuar territorin palestinez të shkatërruar nga dy vite konflikt.
Armëpushimi në Gaza mbetet i brishtë, me Izraelin dhe Hamasin që akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të marrëveshjes. Sipas kushteve të armëpushimit, trupat izraelite u tërhoqën pas një të ashtuquajture “vijë e verdhë”, megjithëse ato mbeten në kontroll të më shumë se gjysmës së territorit.
Axhenda:
Instituti Amerikan i Paqes “Donald J. Trump”
Fillojnë mbërritjet e delegacioneve- 12:15
Përfundojnë mbërritjet e delegacioneve- 14:05
Foto familjare- 14:40
Fillon mbledhja- 15:00
Fjalë mirëseardhjeje dhe hapëse nga Presidenti dhe Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara. Prezantime në tryezë të rrumbullakët & Përditësime kryesore
Top Channel