Nesër protesta e PD para Kuvendit, Policia njofton akset që do të bllokohen Gjykata Kushtetuese la në fuqi vendimet e mëparshme duke gjetur të duhur fajësimin e Arben Frrokut dhe ndaj vulosi përfundimisht dënimin e përjetshëm të tij për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj.
Vendimi u dha nga Kushtetuesja pasi pranoi kërkesën e Frrokut për rihapje të procesit, ashtu siç kishte urdhëruar Gjykata e Strasburgut.
Pas shqyrtimit të kërkesës së Frrokut, që vazhdon të jetojë në Hollandë, Gjykata Kushtetuese ka pranuar të shfuqizojë vetveten mbi një vendim të 2018-ës dhe në përfundim nuk ka pranuar kërkesën për rigjykim nga një trup tjetër, duke i quajtur Kushtetueses verdiktet e dënimit.
Frroku fillimisht u shpall i pafajshëm nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda për ekzekutimin e zyrtarit të policisë që në shkurtin e 2013-s u vra barbarisht në afërsi të banesës së tij. Hetimet i adresuan Arben Frrokut akuzën e ekzekutimit të Dritan Lamajt, ish-shef i komisariatit të Kombinatit, që kishte pasur përplasje me dyshuarin dhe për këtë shkak ishte dërguar si specialist i thjeshtë në Policinë e Shtetit.
Prokuroria deklaroi në atë kohë se Lamaj u qëllua nga një makinë e vjedhur prej Enver Stafukës dhe Gentjan Bejtjes, ndërkohë që Bejtja u vra në fund, kurse Stafuka u arrestua në 2015. Si ekzekutor të kryekomisarit, prokuroria identifikoi Arben Frrokun, i cili u dënua me burg të përjetshëm në apel dhe më pas në Gjykatën e Lartë, të dyja këto vendime të lëna në fuqi edhe nga Kushtetuesja.
Top Channel