Sfidat e Eva Dumanit pas riatdhesimit/ Rruga e vështirë e riintegrimit dhe de-radikalizimit pas kthimit nga Siria

18/02/2026 15:40

Eva Dumani u kthye në Shqipëri pas 12 vitesh të kaluar në kampet e Sirisë, por kjo nuk është fundi i luftës së saj.

Sikurse edhe 38 të tjerët të riatdhesuar më parë, Eva, e cila u largua vetëm 9-vjeçare bashkë me vëllain e saj nga i ati, do të ballafaqohet me procesin e riintegrimit dhe de-radikalizimit.

Gjatë një interviste për TCH, Lejdi Dervishi, Drejtoreshë e Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, rrëfen se së pari Eva do të intervistohet nga shërbimet vendase për aktivitetin e saj në kampet e Sirisë.

“Nuk do doja të flisja për proceset që ndjekin agjencitë ligjzbatuese, por ajo që kemi shumë të qartë është që Evës t’i japim një mundësi për t’u rikthyer në jetë.

Kushdo që të ishte nga ne që mund të ishte në ato rrethana nuk do mund të mbijetonte pa trauma. Por jam e sigurt që me fuqinë dhe me mbështetjen e familjes së saj, edhe me të gjithë mbështetjen institucionale që ne si institucione do t’ia japim përmes ekspertizës më të mirë që tashmë kemi shumë vite që jo vetëm e vëmë në zbatim, por kemi pasur edhe raste suksesi.

Unë mund t’ju them që të gjithë bashkëqytetarët që kanë ardhur si Eva nga zonat e konfliktit në Siri edhe Irak tashmë janë të rehabilituar dhe të integruar në shoqëri”, u shpreh Lejdi Dervishi, koordinatorja kombëtare kundër ekstremizmit të dhunshëm.

I vetmi ndryshim krahasuar me protokollin që ndjek drejtësia është fakti që Eva nuk do të përcillet në qendrën e posaçme të Durrësit si të bashkatdhetarët e tjerë.

Lejdi Dervishi thekson se sfida e ripërshtatjes së të ardhurve nga lufta në Siri, veçanërisht atyre të radikalizuar, mbetet një test në zhvillim për autoritetet, sidomos për fëmijët që kanë lindur në Siri.

“Procesi i dokumenteve ka qenë një proces i gjatë, sepse një pjesë më e madhe e familjarëve të tyre i kanë humbur dokumentet ose duhet t’i rinovonin. Kanë kaluar edhe nëpër struktura të ndryshme të institucioneve gjyqësore në vend për t’u pajisur me dokumente dhe me nënshtetësi.

Fëmijët që kishin lindur në kamp dhe nënat e tyre duhet të deklaronin detajet lidhur me fëmijën, lidhur me jetën e tyre, me atësinë dhe me amësinë. Na është dashur edhe ekzaminime ADN-je dhe shumë ekzaminime të veçanta”, tha Lejdi Dervishi, koordinatorja kombëtare kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Nga 140 persona të larguar drejt Sirisë më shumë se një dekadë më parë, mbas se u rekrutuan nga imamë të shpallur të dënuar në Shqipëri, ngelen ende pa u riatdhesuar edhe 44 të tjerët.

“Ne vazhdojmë të jemi të angazhuar, po punojmë me partnerët dhe nuk kemi reshtur kurrë, kur them ne, e kam fjalën për shtetin shqiptar“,përfundoi ajo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB