LIVE/ Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi në betejën e fundit për UÇK-në në Hagë: Duam pafajësi, i vetmi kundërshtar i ynë ishte Millosheviçi
Gjatë deklaratës së tij nga Haga, Rexhep Selimi u shpreh se “Kjo Prokurori e ka synim dënimin e UÇK-së, dënimin e Pavarësisë së Kosovës”.
Më tej ai shtoi se ‘lufta çlirimtare nuk mund të barazohet me shtetin vrasës të Serbisë. Ta barazosh rezistencën e një populli me plan kriminal është një barazim jo vetëm i pasaktë, por edhe thellësisht i padrejtë. Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet, aq më tepër në një sallë gjyqi. Historinë e Kosovës e kanë shkruar qytetarët e saj’.
Deklarata e Rexhep Selimit:
Kanë kaluar më shumë se 5 vite. S’kanë qenë të lehta për ne, por as të parëndësishme për historinë e vendit tim. Pas gjithë këtyre viteve, ka edhe një element pozitiv. Shpresoj që gjykatësit ta kenë pasur kohë të mjaftueshme të kuptojnë që lufta jonë ishte e drejtë. Aktakuza është e pabazuar dhe sot rrjedha e procesit më ka dhënë të drejtë. Unë nuk jam ngritur këtu ta mbroj veten time, sepse këtë e kanë bërë avokatët e mi. As t’ju tregoj për drejtësi, sepse ju e dini më mirë. Sot ju kërkoj veç ta ushtroni atë, drejtësinë.
Deklaroj se ZPS kërkon dënimin e Shtabit të Përgjithshëm; se shënjestër e saj është pikërisht UÇK-ja, vetë pavarësia. Më dha përshtypjen që vetë pavarësinë e sulmuan si vepër të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale. Prokuroria mbajti akuza si: “Shtabi i Përgjithshëm kërkonte pavarësinë” ose “Shtabi i Përgjithshëm deklaroi se nuk do ta mbështeste autonominë”. Është vështirë të kuptohet kundër kujt është ngritur kjo aktakuzë. Kundër nesh, se luftuam për pavarësinë e Kosovës? Kjo mbetet për t’u vlerësuar nga ju, të nderuar trup gjykues.
Po ashtu duan ta ndajnë shoqërinë kosovare në dysh, në ata që ishin për pavarësi dhe ata që ishin për autonomi. Sikur duan me çdo kusht të bëjnë përçarje të shoqërisë tonë. Po citoj: “Shtabi i Përgjithshëm kërkonte pavarësinë, ndërsa partitë që donin autonominë shpalleshin tradhtarë”. Të nderuar, në Kosovë nuk ka pasur asnjë parti që ishte kundër pavarësisë dhe asnjë që donte autonominë nën Serbi. Të gjitha partitë ishin për pavarësi, ashtu sikurse ishte qëllimi i UÇK-së. Të paraqesësh pavarësinë si radikale e autonominë si moderne, sikur prokuroria do t’i ndajë shqiptarët mes vete.
Lufta çlirimtare nuk mund të barazohet me shtetin vrasës të Serbisë. Ta barazosh rezistencën e një populli me plan kriminal është një barazim jo vetëm i pasaktë, por edhe thellësisht i padrejtë. Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet, aq më tepër në një sallë gjyqi. Historinë e Kosovës e kanë shkruar qytetarët e saj.
Kur Serbia dhe Millosheviqi vrisnin moshatarët e mi, mbyllnin shkolla e spitale, na ndiqnin për të na vrarë dhe zbatonin spastrim etnik e gjenocid, çka të bënim ne? Të mos reagonim? Serbia kurrë nuk e fshehu qëllimin e saj. Clarku tregoi që Millosheviqi kishte thënë: “Duhet vrarë të gjithë shqiptarët”. Edhe ne e dinim këtë, sepse Serbia nuk e ka fshehur kurrë qëllimin e saj ndaj shqiptarëve. Çka të bënim ne? Të prisnim radhën për t’u vrarë? Prandaj duhej të rezistonim. Prandaj unë besoja që Kosova kishte nevojë për njerëzit që e mbrojnë veten. Prandaj unë iu bashkova Adem Jasharit.
Top Channel