Talibanët, duke miratuar dhe zbatuar një kod të ri penal, kanë ndryshuar mënyrën e ndëshkimit për dhunën në familje në një formë që kritikët thonë se në praktikë legjitimon dhunën ndaj grave dhe fëmijëve.
Mediat raportojnë se ligji i ri në kodin penal hyri në fuqi dhe lejon që gratë mund të rrihen nga bashkëshortët, vëllezërit dhe familjarët e tjerë. Ndërsa krim quhet vetëm nëse i thyhen kockat ose i shkaktohet plagë e rënda.
Sipas raportit, në raste të tjera ndëshkimi trupor ndaj bashkëshortes apo fëmijëve nga burri ose kryefamiljari nuk konsiderohet krim. Kodi parashikon se nëse përdoret “forcë e padëshirueshme” dhe shkaktohen dëmtime të dukshme, si fraktura, dënimi maksimal është vetëm 15 ditë burg.
Ndjekja penale kushtëzohet gjithashtu nga fakti që gruaja duhet të jetë në gjendje të provojë dhunën në gjykatë. Ligji në Afganistan i ndalon grave të dalin nga shtëpia pa lejen e burrit, babait dhe i dënon nëse zbulojnë pjesë të trupit në publik.
Rregullorja përcakton gjithashtu se një grua e martuar që viziton familjen pa lejen e shprehur të bashkëshortit mund të përballet me deri në tre muaj burg, një dispozitë që ka shkaktuar reagime të gjera.
Talibanët zbatojnë sheriatin si ligj kryesor në Afganistan që kur morën pushtetin. Kufizimet ndaj grave janë të jashtëzakonshme, ndërsa atyre u ndalohet edhe shkollimi në çdo nivel.
Top Channel