Industria gjermane po përballet me pasoja të rënda nga dobësimi ekonomik, duke shënuar një reduktim të ndjeshëm të vendeve të punës gjatë vitit të kaluar.
Sipas një analize, rreth 5.38 milionë persona ishin të punësuar në sektor, afro 124 mijë më pak krahasuar me një vit më parë. Studimi, i bazuar në të dhënat e Zyrës Federale të Statistikave dhe që përfshin kompanitë me të paktën 50 punonjës, tregon se humbjet e vendeve të punës kanë qenë pothuajse dyfish më të larta se një vit më parë.
Goditjen më të fortë e ka marrë industria automobilistike, e cila ka shkurtuar rreth 50 mijë vende pune, ndërsa sektorët kimik dhe farmaceutik kanë shfaqur qëndrueshmëri relative, me rreth 2 mijë vende pune të humbura. Ekspertët paralajmërojnë se ky trend mund të vijojë edhe gjatë vitit 2026.
Porositë e dobëta, konkurrenca e fortë dhe rritja e falimentimeve, sidomos te furnizuesit e industrisë së automobilëve, pritet të detyrojnë kompanitë të zvogëlojnë më tej fuqinë punëtore.Ndërkohë, prodhuesit e makinave po zhvendosin gjithnjë e më shumë prodhimin, kërkimin dhe zhvillimin jashtë Gjermanisë, duke rritur presionin mbi tregun vendas të punës.
Edhe ekonomistët mbeten të kujdesshëm në parashikime. Megjithëse pritet një rritje ekonomike rreth 1% në vitin 2026, pas një periudhe të gjatë stanjacioni, efektet reale për bizneset mund të kërkojnë kohë. Një zgjerim më i gjerë i ekonomisë parashikohet vetëm në vitin 2027, kur investimet shtetërore në mbrojtje dhe infrastrukturë të japin rezultatet e plota.
Top Channel