Kanadaja ka nisur një program shumë-miliardë dollarësh për modernizimin e forcave të saj të armatosura, me synimin që të mbështetet më shumë te industria vendase dhe të ulë varësinë nga Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes.

Gjatë një vizite në ambientet e kompanisë CAE Inc., kryeministri Mark Carney deklaroi se vendi i tij është mbështetur për shumë kohë te faktorë të jashtëm për sigurinë. Sipas tij, kjo ka krijuar dobësi dhe varësi që tashmë nuk janë të pranueshme.

Strategjia e re e mbrojtjes parashikon investime rreth 82 miliardë dollarë në pesë vitet e ardhshme, në mënyrë që vendi të arrijë objektivat e NATO për shpenzimet ushtarake: 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto brenda këtij viti dhe 5% deri në vitin 2035.

Sipas agjencisë Agence France-Presse, Carney ka paralajmëruar prej kohësh se situata globale e sigurisë po bëhet më e rrezikshme dhe se rendi ndërkombëtar po ndryshon me shpejtësi. Plani përfshin rritjen e kapaciteteve mbrojtëse në tokë, det dhe ajër.

Një nga shqetësimet kryesore mbetet sovraniteti në Arktik, ku shkrirja e akujve për shkak të ngrohjes globale po rrit interesin e fuqive të mëdha për burimet minerare të zonës.

Kryeministri kanadez ka qenë gjithashtu kritik ndaj administratës së presidentit Donald Trump.

Në një fjalim në World Economic Forum në Davos, ai u shpreh se rendi global i dekadave të fundit është “copëtuar”.

Ai theksoi se nacionalizmi kanadez është politik dhe synon mbrojtjen e të drejtave të çdo qytetari, duke shtuar se mandati i qeverisë në Otava është garantimi i sigurisë dhe unitetit kombëtar në një botë gjithnjë e më të paqëndrueshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB