“Kosova zgjodhi paqen, Serbia luftën”, Thaçi nga Haga: I vetmi pushtet që kisha, ishte zëri im Një nga konglomeratet më të mëdha të biznesit në Indi ka shpallur një plan ambicioz për ta vendosur vendin në krye të zhvillimit global të inteligjencës artificiale brenda dekadës së ardhshme.
Grupi Adani synon të investojë rreth 100 miliardë dollarë në ndërtimin e qendrave të të dhënave të dedikuara për AI deri në vitin 2035, njoftim që u bë gjatë samitit pesëditor të inteligjencës artificiale në Nju Delhi.
Ky projekt parashikon edhe rreth 150 miliardë dollarë investime shtesë për prodhimin e serverëve dhe ndërtimin e infrastrukturës energjetike, elementë thelbësorë për mbështetjen e teknologjive të avancuara.
Sipas një studimi të Universitetit të Stanfordit, India u rendit vitin e kaluar e treta në botë për konkurrueshmërinë në inteligjencën artificiale, pas Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Samiti “India AI Impact” ka mbledhur në kryeqytetin indian rreth 20 krerë shtetesh dhe qeverish, së bashku me drejtues të kompanive më të mëdha teknologjike globale, përfshirë drejtuesit e Google dhe OpenAI.
Organizatorët e konsiderojnë këtë aktivitet si samitin e parë të këtij niveli në rajon, ndërsa theksojnë se India, si vendi më i populluar në botë, po shndërrohet në një nga tregjet digjitale me rritjen më të shpejtë. Qeveria indiane ka ndërmarrë hapa për të tërhequr investitorët e huaj: kompanitë që përdorin qendrat e të dhënave në Indi për shërbimet globale “cloud” nuk do të paguajnë taksa deri në vitin 2047.
Në këtë linjë, Google ka paralajmëruar një investim prej 15 miliardë dollarësh për një qendër të re të dhënash për inteligjencën artificiale, ndërsa Microsoft dhe Amazon kanë investuar tashmë miliarda në këtë sektor strategjik.
Top Channel