Fiks Fare/ “Më ngatërruan syrin, rrezikoj shikimin”. Qytetari akuzon klinikën e syrit për ndërhyrje të gabuar me lazer

18/02/2026 20:45

Një qytetar nga Tropoja ka denoncuar në emisionin “Fiks Fare” një klinikë private të syrit, Indian Eyee Clinic, ku pretendon se i është kryer ndërhyrje me lazer në mënyrë të gabuar, duke i rrezikuar seriozisht shikimin.

Sipas tij, ai është paraqitur në klinikë për të kryer lazer në syrin e majtë, pasi shikimi i kishte mbetur vetëm 25 për qind. Qytetarit i është premtuar se pas ndërhyrjes, shikimi do të përmirësohej deri në 80 për qind. I bindur nga garancia e dhënë, ai ka pranuar të kryejë procedurën.

Por pas ndërhyrjes, situata jo vetëm që nuk është përmirësuar, por është përkeqësuar, sipas tij . Ai thotë se ka shkuar disa herë në klinikë për të kërkuar shpjegime dhe zgjidhje, apo edhe kthimin e parave, por nuk ka marrë asnjë përgjigje konkrete.

Qytetari, rrëfen se gjatë një bisede me një nga mjeket e klinikës, kjo e fundit i ka pohuar se mund të jetë ngatërruar syri në matje. Sipas tij, mjekja ka parë dokumentacionin dhe ka konstatuar se në kartelë rezulton shikim 80 për qind, çka sipas saj mund t’i përkasë syrit të djathtë, ndërsa ndërhyrja është kryer në syrin e majtë.

“Besoj se është ngatërruar syri, se ne këtu e kemi shikimin 80 për qind”, mësohet t’i ketë thënë mjekja, duke shtuar se do të konsultohej edhe me shefin e klinikës.

Ndërkohë, edhe gjatë takimit me një mjek të huaj të klinikës, qytetarit i është thënë se mund të ketë ndikuar fakti që ai ka parë më mirë me syrin e djathtë gjatë matjeve, duke krijuar konfuzion në rezultat. Si zgjidhje, atij i është sugjeruar të kryejë terapi në shtëpi, duke mbajtur syrin e djathtë të mbyllur për orë të tëra, në mënyrë që të stimulojë syrin e majtë.

Por qytetari pretendon se e ka zbatuar këtë këshillë dhe nuk ka pasur asnjë përmirësim. Në fund, sipas tij, i është thënë vetëm të përdorë disa pika për ta qetësuar syrin.

Ai kërkon ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse dhe thekson se mund të ketë edhe pacientë të tjerë që mund të kenë pësuar të njëjtin fat. “Nuk dua ta përjetojë askush tjetër atë që po kaloj unë. Bëhet fjalë për shikimin,” shprehet ai, duke kërkuar përgjegjësi.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB