Të shtëna me armë zjarri në SHBA, dy të vdekur dhe tre të plagosur në një ndeshje hokeji
Një formacion i rrallë gjeologjik nënujor pranë Gadishulli Jukatan po ngre pikëpyetje të reja për studiuesit, pasi vrima blu e quajtur Taam Ja’ rezulton të jetë më e thella e njohur në botë, me një thellësi të konfirmuar prej mbi 420 metrash, ndërsa kufiri i saj i vërtetë mbetet ende i panjohur.
Formacioni u zbulua rreth dy dekada më parë nga një zhytës vendas dhe është pothuajse i padukshëm nga sipërfaqja, çka e bën edhe më misterioz. Matjet e para në vitin 2021 e vlerësuan thellësinë në rreth 275 metra, por një ekspeditë e vitit 2023 me pajisje të specializuar CTD tregoi se gropa shkon të paktën në 420 metra, pa arritur ende fundin.
Të ashtuquajturat “vrima blu” janë zgavra natyrore me mure vertikale në shtratin e detit, që formohen kryesisht në zona me shkëmbinj gëlqerorë të butë, të cilët shpërbëhen me kalimin e kohës. Ato karakterizohen nga qarkullim i kufizuar uji dhe nivele shumë të ulëta oksigjeni në thellësi, duke krijuar kushte ku zakonisht mbijeton vetëm jeta mikrobike.
Edhe pse Taam Ja’ konsiderohet aktualisht më e thella, një tjetër formacion i famshëm është Vrima e Madhe Blu në Belize, ku në vitin 2018 u zhytën eksploruesit Richard Branson dhe Fabien Cousteau, nipi i legjendës së eksplorimit detar Jacques-Yves Cousteau. Ata zbuluan një shtresë sulfuri hidrogjeni në rreth 91 metra thellësi dhe, më poshtë, ujë të errët pa shenja jete.
Gjatë eksplorimit u gjetën edhe mbeturina njerëzore, përfshirë një shishe plastike dhe një kamerë të humbur, si dhe mbetje trupash që besohet se i përkisnin zhytësve të zhdukur në një ekspeditë të mëparshme. Branson deklaroi në faqen e kompanisë së tij Virgin se formacioni është pjesë e një sistemi shpellash të krijuara kur zona ishte tokë, duke treguar se sa shpejt mund të rritet niveli i detit.
Sipas tij, rreth 10 mijë vjet më parë niveli global i detit u rrit rreth 300 metra për shkak të shkrirjes masive të akullnajave, gjurmë të së cilës duken ende në muret e formacioneve të tilla.
Megjithatë, pavarësisht teknologjisë moderne dhe misioneve kërkimore, Taam Ja’ vazhdon të mbetet një enigmë shkencore, pasi ekspertët ende nuk e dinë nëse 420 metrat e matur janë fundi i saj apo vetëm hyrja drejt thellësive edhe më të mëdha.
Top Channel