“Përdorimi i Inteligjencës Artificiale për abuzimin seksual me fëmijët online”, Spanja kërkon hetimin e kompanive të rrjeteve sociale

17/02/2026 17:14

Qeveria spanjolle po përgatitet të kërkojë hetim gjyqësor ndaj kompanive që zotërojnë rrjete sociale si X, Meta dhe TikTok, për të përcaktuar nëse kanë kryer vepra penale duke lejuar përdorimin e inteligjencës artificiale për krijimin dhe shpërndarjen e materialeve të abuzimit seksual me fëmijë.

Kryeministri Pedro Sánchez deklaroi se vendimi synon të mbrojë “shëndetin mendor, dinjitetin dhe të drejtat e fëmijëve tanë”, si dhe t’i japë fund pandëshkueshmërisë së platformave të mëdha dixhitale.

Sipas raportimeve, nisma vjen pas një raporti ekspertësh që analizoi përgjegjësinë e mundshme penale për praktika gjithnjë e më të përhapura në mjedisin online, përfshirë krijimin dhe shpërndarjen e përmbajtjeve seksuale dhe materialeve të abuzimit me fëmijë përmes teknologjisë “deepfake”.

Paralelisht, qeveria spanjolle po përgatit një paketë masash që përfshin ndalimin e aksesit në rrjetet sociale për personat nën 16 vjeç. Gjithashtu, është në hartim legjislacioni i ri që do t’i mbajë kompanitë e teknologjisë përgjegjëse për përmbajtje të dëmshme ose që nxisin urrejtje.

Në një zhvillim të veçantë, Komisioni Evropian ka nisur një hetim ndaj platformës X, në pronësi të Elon Musk, lidhur me prodhimin e imazheve seksualisht eksplicite dhe shpërndarjen e materialeve të mundshme të abuzimit seksual të fëmijëve përmes chatbot-it të inteligjencës artificiale të platformës, Grok.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB