‘Nuk është e drejtë që Trump të na bëjë presion neve dhe jo Rusisë’, Zelensky nuk tërhiqet për Donbasin: Populli ukrainas nuk do t’i pranojë lëshimet tona

17/02/2026 22:27

Presidenti ukrainas deklaroi në një intervistë për Axios se populli i Ukrainës nuk do të pranojë një marrëveshje paqeje që parashikon tërheqjen e njëanshme të forcave ukrainase nga rajoni lindor i Donbasi dhe kalimin e tij nën kontrollin e Rusisë.

Deklarata u bë ndërsa në Gjenevë po zhvillohej raundi i tretë i bisedimeve direkte mes negociatorëve ukrainas dhe rusë, ku pika kryesore e mosmarrëveshjes mbetet kontrolli territorial.

Zelensky tha se ndërmjetësit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner i kanë përcjellë vlerësimin se Rusia dëshiron përfundimin e luftës, por ai vetë u shpreh më skeptik. Ai paralajmëroi se nuk duhet t’i imponohet Ukrainës një marrëveshje që qytetarët do ta shihnin si “histori dështimi”.

Presidenti ukrainas kritikoi gjithashtu deklaratat e Donald Trump, i cili ka bërë thirrje që Ukraina të bëjë lëshime. Sipas Zelenskyt, rruga drejt paqes së qëndrueshme nuk mund të jetë “dhënia e fitores” presidentit rus Vladimir Putin. Ai theksoi se shpreson që presioni publik amerikan të jetë vetëm një taktikë dhe jo një vendim përfundimtar.

Zelensky përsëriti se skenari ideal për përparim do të ishte një takim i drejtpërdrejtë me Putinin dhe ka kërkuar që ekipi i tij të shqyrtojë mundësinë e një takimi të tillë në Gjenevë. Sipas tij, ndërmjetësit amerikanë kanë propozuar një plan që përfshin tërheqjen e trupave ukrainase nga pjesë të Donbasit dhe shndërrimin e rajonit në një zonë ekonomike të demilitarizuar, pa përcaktuar sovranitetin.

Ai u shpreh i hapur për diskutime mbi tërheqjen e trupave vetëm nëse edhe Moska bën të njëjtën gjë, ndërsa hodhi poshtë pretendimet ruse për sovranitet mbi rajonin. Zelensky shtoi se çdo marrëveshje përfundimtare duhet t’i nënshtrohet referendumit dhe paralajmëroi se një plan që u jep Rusisë kontrollin e Donbasit do të refuzohej nga populli ukrainas, duke theksuar se territori dhe qytetarët e tij janë pjesë e pandashme e shtetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB