Nisma e PS për ndalimin e pezullimit nga detyra të krerëve të shtetit, reagon KE: Retorika që mbjell mosbesim publik ndaj gjyqësorit…

17/02/2026 22:40

Komisioni Europian ka komentuar propozimin e Partisë Socialiste për të ndryshuar amendamentin e Kodit të Procedurës Penale për t’iu hequr të drejtën gjykatave që të marrin vendime pezullimi ndaj kryeministrit, ministrave, Presidentit, Avokatit të Popullit dhe kreut të KLSH-së.

Në një reagim për Top News, KE shprehet se BE monitoron dhe vlerëson çdo nismë legjislative që lidhet me gjyqësorin në të gjitha vendet kandidate, përfshirë Shqipërinë. KE thekson se “retorika që mbjell mosbesim publik ndaj gjyqësorit dhe ndaj pavarësisë, paanshmërisë dhe integritetit të sistemit gjyqësor dhe atij të prokurorisë është joproduktive”.

Reagimi i KE për Top News:

“BE po e ndjek nga afër amendamentin e Kodit të Procedurës Penale të paraqitur më 16 shkurt.

BE monitoron dhe vlerëson çdo nismë legjislative që lidhet me gjyqësorin në të gjitha vendet kandidate, përfshirë Shqipërinë. Këto nisma pritet të jenë në përputhje me acquis të BE-së dhe me standardet europiane.

Kjo përfshin gjithashtu zbatimin e reformës në drejtësi të vitit 2016 në kuadër të negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në BE. Sundimi i ligjit dhe pavarësia, llogaridhënia dhe efikasiteti i sistemit gjyqësor në Shqipëri janë elemente themelore të procesit të zgjerimit të BE-së.

Retorika që mbjell mosbesim publik ndaj gjyqësorit dhe ndaj pavarësisë, paanshmërisë dhe integritetit të sistemit gjyqësor dhe atij të prokurorisë është joproduktive.

Siç është theksuar edhe më parë, është përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë që të trajtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij. Lufta efektive kundër korrupsionit është me rëndësi thelbësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB