Piper Gilles fitoi medaljen e bronztë në kërcimin në akull në Lojërat Olimpike Dimërore të Milanos-Cortina 2026, vetëm tre vjet pasi iu diagnostikua me kancer të vezoreve.

Sportistja kanadeze, 34 vjeçe, e cila garoi në çift me Paul Poirier, festoi me entuziazëm medaljen e saj të parë olimpike, një moment që ajo pranon se nuk e kishte imagjinuar gjatë betejës me sëmundjen. Diagnostikimi i kancerit të vezoreve në stadin 1 erdhi më 16 janar 2023, pikërisht në ditëlindjen e saj të 31-të.

“Ishte shumë, shumë frikësuese,” rrëfeu Gilles në një seri të re dokumentare të Netflix, Glitter & Gold: Ice Dancing, ku ndau përvojën e saj. Përveç frikës për shëndetin, ajo u pyet nëse do të mund të vazhdonte të konkurronte.

Pas performancës fituese, Gilles la një mesazh shprese: “Mendoj se është një shembull i madh për këdo që po kalon një moment të errët, probleme shëndetësore mendore ose fizike, se mund të realizohen gjëra të vështira, çfarëdo që ndodhë. Mund të dalim nga shtrati, të vazhdojmë të besojmë te vetja dhe të ndjekim ëndrrat tona dhe gjithçka mund të ndodhë,” tha ajo për ‘Skate Canada’.

Gilles kërkoi ndihmë mjekësore pas simptomave të paqarta, si dhimbje të ngjashme me ato menstruale në anën e majtë dhe lodhje e vazhdueshme. Ekzaminimet zbuluan një cist prej gati 9 centimetrash në vezoren e majtë. Zbulimi i hershëm, sipas Gilles, i shpëtoi jetën.

Gilles iu nënshtrua një operacioni për heqjen e masës tumorale dhe pati fatin të mos kishte nevojë për trajtime shtesë, si kimioterapia. Rikthimi në akull ndodhi në shkurt 2023, megjithëse me kufizime: “Rritja e intensitetit të stërvitjeve ishte e ngadaltë, ndërsa përdorja një rrip kompresioni të ngjashëm me atë të shtatzënisë për siguri,” shpjegoi ajo për Toronto Life.

Edhe pse sot është e pastër nga kanceri, ajo tregoi se i mori rreth dy vjet e gjysmë për t’u ndier përsëri vetvetja, duke jetuar me frikën e rikthimit të sëmundjes gjatë vitit të parë pas operacionit.

Beteja e Gilles kundër kancerit u motivua edhe nga kujtimi i nënës së saj, Bonnie Gilles, e cila vdiq në 2018 nga kanceri i trurit. “U luta për të,” tha ajo në serinë e Netflix, duke e quajtur nënën e saj “heroina ime, motivuese, kritikuesja më e madhe dhe mbështetësja më e madhe.”

“Po të mund të më shikonte dhe të shihte çfarë po bëj, do të ishte krenare. Më bëri të vlerësoj çdo moment të jetës. Çdo ditë që zgjohem dhe shkoj në akull është një bekim, edhe pse është e vështirë. Jam e lumtur që mund të përballoj vështirësitë, sepse alternativa është shumë më keq,” përfundoi ajo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB