Hashim Thaçi dhe bashkëpunëtorët përballen me gjyqin e dytë, akuzohen për pengim të drejtësisë

17/02/2026 12:16

Dhomat e Specializuara në Hagë njoftuan se më 27 shkurt do të mbahen deklaratat hyrëse në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçi, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të akuzuar për pengim drejtësie.

Sipas organit të akuzës, ata dyshohet se gjatë periudhës prill-nëntor 2023 kanë ndërhyrë te dëshmitarët e thirrur nga Prokuroria në çështjen për krime lufte të njohur si “Thaçi dhe të tjerët”.

Pretendohet se janë bërë përpjekje për të ndikuar përmbajtjen e dëshmive ose për të zbuluar informacione konfidenciale që lidhen me procesin gjyqësor.

Aktakuza, e konfirmuar më 29 nëntor 2024, thekson se Thaçi dyshohet të ketë ndarë informacione të ndjeshme me bashkëpunëtorë të tij dhe t’i ketë udhëzuar ata që të ndërhyjnë te dëshmitë.

Të pestë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm përpara gjykatës. Pas përfundimit të deklaratave prezantuese të çështjes, Prokuroria do të nisë paraqitjen e provave që, sipas saj, mbështesin akuzat për pengim drejtësie.

Ndërkohë, Thaçi përballet edhe me një proces tjetër për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, së bashku me ish-drejtues të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Edhe në këtë rast, të katërt ata i kanë mohuar akuzat. Javën e kaluar, u mbajtën deklaratat përmbyllëse të këtij procesi të dytë, ku mbrojtja argumentoi se nuk ekzistojnë prova të mjaftueshme për të vërtetuar akuzat, ndërsa Prokuroria kërkoi shpalljen e tyre fajtorë.

Pas përmbylljes së kësaj faze, çështja i kalon trupit gjykues, i cili ka afat tre muaj për të dhënë vendimin, me mundësi shtyrjeje nëse konsiderohet e nevojshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB