Bisedimet trepalëshe në Gjenevë, SHBA pret propozimet e Iranit për një marrëveshje të re bërthamore: Është bërë përparim, por…
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë vendosur të zgjasin me tre vjet misionin e tyre hapësinor në Mars, duke riafirmuar ambiciet për t’u shndërruar në një fuqi të rëndësishme në sektorin kozmik.
Vendimi vjen pasi anija kozmike Hope, e lëshuar në vitin 2021, ka tejkaluar pritshmëritë shkencore dhe teknike.
Fillimisht, misioni ishte planifikuar të zgjaste deri në pesë vjet dhe të siguronte rreth një terabajt të dhëna shkencore mbi planetin e kuq. Por sipas njoftimit të bërë në një konferencë për shtyp në Dubai, nga ministri dhe kreu i Agjencia Hapësinore e Emirateve, Ahmed Beloul Al Falasi, misioni tashmë ka mbledhur rreth 10 terabajt informacion dhe do të vazhdojë deri në vitin 2028.
Sipas shkencëtarëve të agjencisë, projekti ka mundësuar gjithashtu vëzhgimin e hënës së vogël marsiane Deimos, si edhe të kometës ndëryjore 3I/ATLAS, një nga objektet më të rralla kozmike të zbuluara ndonjëherë.
Autoritetet e Emirateve synojnë që deri në vitin 2031 vendi të jetë ndër dhjetë aktorët kryesorë në ekonominë hapësinore globale. Në një deklaratë për AFP, Al Falasi theksoi se faza e parë e zhvillimit ishte ndërtimi i bazës institucionale dhe teknologjike, ndërsa tashmë sektori privat po përfshihet gjithnjë e më shumë në projektet hapësinore.
Një tjetër nismë ambicioze është misioni i ardhshëm prej rreth 1 miliard dollarësh drejt rripit kryesor të asteroideve mes Marsit dhe Jupiterit. Parashikohet që në vitin 2028 të lëshohet një anije pa pilot, e cila do të përshkojë afro 5 miliardë kilometra për të studiuar shtatë asteroide, duke shënuar një tjetër hap strategjik në programin hapësinor të vendit.
Top Channel