U vra gjatë një proteste, autoritetet franceze nisin një hetim për vdekjen e 23-vjeçarit të ekstremit të djathtë

16/02/2026 20:26

Policia franceze ka nisur një hetim për vrasjen e një burri të ekstremit të djathtë i cili u rrah javën e kaluar, një incident që ka shkaktuar tensione politike në Francë.

23-vjeçari Kédan Derank, një student i matematikës, vdiq gjatë fundjavës pasi pësoi një dëmtim të rëndë në kokë.

Ai u sulmua të enjten në periferi të një proteste kundër një eventi ku mori pjesë Rima Hassan, një eurodeputete e ‘Francës së Pa nënshtruar’ të Jean-Luc Mélenchon.

Grupi i grave i ekstremit të djathtë, anti-imigracion, Nemesis, po protestonte kundër eventit. Gjatë eventit, Derank, i cili ishte atje për të mbrojtur anëtaret e Nemesis, u sulmua nga antifashistët.

Një dëshmitar okular i tha AFP-së se “njerëzit po godisnin njëri-tjetrin me shufra hekuri”.

Nga ana e tij, avokati i familjes së 23-vjeçarit flet për një pritë nga “individë të organizuar dhe të trajnuar, shumë më të pakët në numër dhe të armatosur, disa prej të cilëve mbanin maska”. Ai mohoi se i riu ishte anëtar i sigurisë së ndonjë organizate, ndërsa vuri në dukje se nuk kishte të kaluar kriminale dhe po mbronte bindjet e tij politike “në një mënyrë jo të dhunshme”.

Prokurori i Lionit tha se 23-vjeçari u sulmua nga të paktën gjashtë burra të maskuar, raporton Guardian. Për momentin, ata nuk janë identifikuar dhe nuk janë bërë arrestime.

Rasti ka shkaktuar polemika politike në vend, disa muaj para zgjedhjeve lokale dhe një vit para zgjedhjeve presidenciale.

Të hënën, zëdhënësja e qeverisë akuzoi të Majtën e Pabindur për “inkurajimin e një klime dhune për vite me radhë”. Ajo madje deklaroi se “mban përgjegjësi morale” për sulmin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB