Greqia firmos marrëveshjen me kolosin amerikan Chevron: Dyfishohet zona e kërkimeve për naftë dhe gaz në det

16/02/2026 17:11

Një hap të ri në hartën energjetike ka bërë Greqia me nënshkrimin e marrëveshjes mes shtetit grek dhe konsorciumit të udhëhequr nga kompania amerikane Chevron, për kërkimin dhe shfrytëzimin e hidrokarbureve në katër zona detare në jug të Peloponezit dhe të Kretës.

Marrëveshja konsiderohet një zhvillim strategjik, në një periudhë kur Bashkimi Evropian kërkon alternativa për furnizimin me energji dhe reduktimin e varësisë nga gazi rus. Synimi i Athinës është të forcojë rolin e saj si qendër energjetike në rajon dhe si portë hyrëse e gazit drejt Evropës.

Katër blloqet ku do të veprojnë Chevron dhe Hellenic Energy mbulojnë një sipërfaqe shumë të madhe. Nëse shikoni programin tonë të kërkimeve, sot kemi rreth 48 mijë kilometra katrorë dhe, pas kësaj marrëveshjeje, kjo shifër do të arrijë në 94 mijë kilometra katrorë me një të rënë të lapsit. Zona e disponueshme për kërkime në Greqi pothuajse do të dyfishohet.

Programi i ri i kërkimeve shënon zgjerimin më të madh të aktivitetit eksplorues në dekadat e fundit. Nëse konfirmohen rezervat, Greqia synon të shndërrohet në prodhues dhe eksportues energjie, duke forcuar sigurinë energjetike të rajonit. Në ceremoni ka marrë pjesë edhe ambasadorja amerikane në Greqi. Sipas burimeve qeveritare hyrja e kompanive të mëdha ndërkombëtare dhe interesi i shtuar amerikan, tregon synimin e palës greke për forcimin jo vetëm të rolit të saj energjetik, por edhe të peshës gjeopolitike në Mesdheun Lindor dhe në tregun evropian të energjisë.

Nën udhëheqjen e Presidentit Trump, kemi vendosur si prioritet të qartë mbështetjen e aleatit tonë strategjik në këtë rajon shumë të rëndësishëm gjeopolitik, dhe ky aleat është Greqia, e cila ka qenë e qëndrueshme dhe çdo herë ka tejkaluar pritshmëritë. Ne angazhohemi përkrah jush sot, nesër dhe për shekujt që do të vijnë.

Marrëveshja vjen pas investimeve në infrastrukturë LNG, gazsjellës dhe interkoneksione, ndërsa vendi po përpiqet të balancojë zhvillimin e hidrokarbureve me investimet në burimet e rinovueshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB