“Gjithë bota e pa kryengritjen paqësore të opozitës”/ Berisha: Diktaturat nuk rrëzohen me votë, por me revoltë

16/02/2026 10:35

Kreu i PD-së, Sali Berisha, u paraqit këtë të hënë në SPAK për të zbatuar masën e detyrimit të paraqitjes.

Pasi doli nga Prokuroria e Posaçme, ai foli për mediat duke bërë sërish thirrje për protestën e radhës së PD-së më 20 shkurt.

“Ky është akti më i rëndë, më kriminal, më poshtërues ndaj qytetarëve shqiptarë, që Edi Rama guxon të marrë. Me këtë akt të pashembullt në historinë e botës, Rama u thotë shqiptarëve se personalisht ai dhe organizata e tij kriminale, ministrat, qëndrojnë mbi ligjin, qëndrojnë mbi çdo gjë tjetër në këtë vend dhe nuk mund të hetohen. E vërteta e këtij amendamenti që ata paraqesin sot dhe kjo është goditja më e rëndë që i bëjnë shqiptarëve, që i bëjnë shtetit ligjor, është mbrojtja më e fuqishme ndaj sistemit të korrupsionit që kanë vendosur. Qytetarët duhet ta dinë, pas anulimit me ligj të këtij funksioni të prokurorisë speciale, prokurorëve nuk u mbetet gjë tjetër veç imunitetit. Në këtë rast, unë e paralajmëroj atë se do paguajë çmimin më të shtrenjtë dhe se po u fakton shqiptarëve dhe botës se çfarë hajduti i pafytyrë është ky.

Me këtë akt, ai i mbyll duart e integrimit të Shqipërisë në BE dhe krijon edhe njëherë fushën më të madhe të mundshme për vjedhjen, plaçkitjen e tyre dhe është në dorën e tyre që të marrin fatin. Data 20 po vjen. Kryengritja paqësore e opozitës shqiptare ka pasur jehonën më të jashtëzakonshme dhe më dashamirëse në mbarë botën.

Bota e pa, edhe dje, Fox-i kishte një kronikë të zgjeruar për protestën e opozitës. Që të gjitha diktaturat, qofshin totalitare, qofshin autoritare kanë rënë vetëm me protesta.

Kanë rënë diktaturat në Bangladesh, në Nepal, në Sri Lanka. Diktaturat nuk rrëzohen me votë, por vetëm me revoltën qytetare.

Në Uashington është takimi i Bordit të Paqes ku Shqipëria është anëtare. Në Uashington shkon Shqipëria. Është njësoj si të thuash pse shkoi në OKB? Kjo është një organizatë si OKB-ja. Kjo nuk e bën më pak hajdut seç është”, tha Berisha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB