Gjykata e Tiranës ka lënë në fuqi masën arrest me burg për Bardhyl Fushën, i cili tre ditë më parë tentoi të grabiste me kallashnikov një bankë të nivelit të dytë në Tiranë.

Avokati i tij ka kërkuar që të vlerësohet gjendja psikologjike dhe mendore e klientit të tij.

Bardhyl Fusha, me origjinë nga Librazhdi, ishte një sipërmarrës në fushën e ndërtimit që operonte në Tiranë, ku dhe jetonte, por vitet e fundit është përballur me probleme të mëdha financiare. Për skenarin e grabitjes ai ‘nuk u investua shumë’, pasi u fut në ambientet e monitoruara me kamera, i pa maskuar.

Me një çantë sportive, brenda së cilës kishte një kallashnikov dhe dy karikatorë me fishekë, ai u fut si klient i zakonshëm derisa mbërriti te arka dhe, nën kërcënimin e armës, kërkoi paratë. Ai mori 8 mijë euro, por ndërhyrja e shpejtë bëri që plani i tij të dështonte.

Para grupit hetimor, në gjendje të rënduar psikologjike, ai ka deklaruar se e kreu grabitjen pasi kishte borxhe për të shlyer.

Ai dyshohet se është proceduar edhe disa herë të tjera, pasi është akuzuar nga klientë se u ka para të pashlyera. Duket se borxhet kanë qenë shkak që ai të ndërmerrte këtë akt, i cili e çoi pas hekurave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB