Opinion/ Preç Zogaj: Rruga e mundimshme nga aktakuza te çekiçi i fundmë në gjykatë
Nga Alda Bardhyli
Vepra L’existentialisme est un humanisme e Jean-Paul Sartre është një nga tekstet më të qarta dhe më përfaqësuese të ekzistencializmit. Gjatë leximeve të letrave tw Simone De Beauvoir, do të gjeja një shënim të gjatë mbi këtë tekst, I cili më bëri ta gjej për ta lexuar. E mbajtur fillimisht si ligjëratë në vitin 1945, në një Evropë të tronditur nga lufta dhe kriza morale, kjo vepër synonte të shpjegonte dhe mbronte një filozofi që shpesh ishte keqkuptuar si pesimiste apo nihiliste.
Në të vërtetë, Sartre argumenton se ekzistencializmi është një formë e thellë
humanizmi, sepse e vendos njeriun në qendër të përgjegjësisë për veten dhe për botën. Në thelb të këtij teksti qëndron ideja e famshme se “ekzistenca i paraprin thelbit”. Me këtë formulim, Sartre kundërshton mendimin tradicional se njeriu ka një natyrë të paracaktuar, një plan hyjnor apo një thelb të dhënë që në lindje. Sipas tij, njeriu fillimisht ekziston, shfaqet në botë dhe vetëm më pas, përmes zgjedhjeve dhe veprimeve të tij, krijon atë që është. Ai nuk është një objekt i projektuar me funksion të përcaktuar; ai është një projekt i hapur, që ndërtohet vazhdimisht.
Nga kjo ide lind koncepti i lirisë radikale. Kumtesa si L’existentialisme est un humanisme e Jean-Paul Sartre kanë rëndësi të veçantë në shekullin XXI sepse ato përfaqësojnë një moment kur filozofia dilte në hapësirën publike dhe fliste drejtpërdrejt për krizën morale të kohës. Ato nuk ishin vetëm analiza teorike, por ndërhyrje intelektuale në jetën shoqërore. Në kohët që jetojmë, teknologjia, inteligjenca
artificiale, krizat klimatike, luftërat dhe polarizimi politik krijojnë një ndjenjë paqëndrueshmërie të vazhdueshme. Kumtesa si ajo e Sartre-it
ofronin diçka thelbësore një thirrje për përgjegjësi personale dhe morale. Ato e rikthenin individin në qendër, duke e bërë të vetëdijshëm për rolin e tij në histori.Ato krijonin hapësirë për reflektim të thellë publik. Nuk ishin komente të shpejta, as reagime impulsive; ishin përpjekje për të kuptuar epokën në mënyrë konceptuale. Në një kohë ku diskursi shpesh reduktohet në postime të shkurtra dhe debate të fragmentuara, nevojitet pikërisht ky lloj mendimi i strukturuar. Këto kumtesa në kohë na kujtojnë figura që gati janë të padukshme sot, intelektualët e angazhuar. Sartre nuk fliste vetëm si filozof akademik, por si qytetar që merrte pozicion. Në shekullin XXI, ku shpesh dominon
neutraliteti strategjik ose oportunizmi, një zë i tillë do të kishte peshë morale.
Në shekullin XXI, ku shpesh dominon neutraliteti strategjik ose oportunizmi, një zë intelektual me peshë morale do të kishte rëndësi të
jashtëzakonshme. Megjithatë, ndryshimi themelor midis kohës së Jean-Paul Sartre dhe epokës sonë qëndron në mënyrën se si intelektualët shfaqen dhe veprojnë në hapësirën publike. Sartre ishte një figurë e dukshme, që merrte pozicion dhe artikulonte vizionin e tij për shoqërinë, mendimi i tij kishte forcë simbolike dhe ndikim moral të qartë. Sot, kjo figurë është fragmentuar dhe shpërndarë në mënyra që e bëjnë praninë e intelektualit më të padukshme, edhe pse mendimi kritik nuk ka munguar. Intelektualët e sotëm shpesh veprojnë brenda universiteteve, think-tank-eve, organizatave joqeveritare, platformave digjitale dhe mediave sociale. Kjo shpërndarje ka avantazhet dhe disavantazhet e veta. Nga njëra anë, mendimi i tyre mund të prekë fusha të specializuara dhe të prodhojë analiza të thelluara mbi çështje komplekse nga ana tjetër, zëri i tyre nuk ka më forcën simbolike të dikurshme; ai shpesh humbet në “zhurmën” e informacionit të shpejtë dhe polarizues që karakterizon komunikimin publik modern. Në këtë kuptim, lind figura e “intelektualit të padukshëm” ,një mendimtar i angazhuar, por që nuk arrin të imponojë ndikim të drejtpërdrejtë publik, të paktën jo me të njëjtën forcë si Sartre ose Simone de Beauvoir në mes të shekullit XX. Ky fenomen nuk është unik për Shqipërinë, ai është një tipar global. Në shumë vende, publiku modern është i ekspozuar ndaj informacionit të fragmentuar dhe shpesh shpërqendruar nga reagimet impulsive, opinionet e shpejta dhe komercializimi i hapësirës publike. Intelektualët mund të ofrojnë analizë të strukturuar dhe kontekst historik, por ky ndikim
kërkon kohë dhe vëmendje, që sot janë të pakta. Për më tepër, autoriteti i mendimtarit nuk është më i garantuar nga reputacioni apo tituli, ai
duhet fituar përmes komunikimit efektiv, kredibilitetit dhe fuqisë së argumentit në një treg idesh të hapur dhe konkurrues.
Në Shqipëri, kjo situatë shihet qartë,intelektualët shpesh ndahen mes botës akademike universitare dhe mediave. Ata zgjedhin shpesh analizën e thellë e të heshtur brënda një audience të kufizuar. Kjo krijon një boshllëk midis mendimit kritik dhe ndikimit real në opinionin publik, duke e bërë praninë e intelektualit më pak të ndjeshme në nivel moral dhe social. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se intelektualët nuk ofrojnë diçka të vlefshme. Ata janë ata që ofrojnë kontekst dhe analizë, që sfidojnë pushtetin dhe normat e pranuara, që interpretojnë fenomene komplekse dhe i bëjnë ato të kuptueshme për ata që kërkojnë të kuptojnë.
Ata kontribuojnë në ndërtimin e një diskursi më të informuar dhe të bazuar në argumente, duke kundërshtuar opinionin e shpejtë dhe manipulimin e informacionit. Problemi është se shpesh kjo mbetet brenda një audience të kufizuar, pa arritur të formojë ndërgjegje kolektive në masë. Sfida e shekullit XXI nuk është mungesa e intelektualëve, por mungesa e një figure të qartë, të fuqishme dhe të besueshme që arrin të bashkojë thellësinë e mendimit me angazhimin moral dhe aftësinë për të komunikuar efektivisht me publikun. Intelektuali modern duhet të gjejë mënyra për të depërtuar përtej “zhurmës” dhe të rikthejë seriozitetin e reflektimit në një botë të mbushur me komente të shpejta, lajme fragmentare dhe opinion të polarizuar. Në mungesë të kësaj, edhe mendimi më i thellë mbetet i padukshëm dhe ndikimi i tij moral i kufizuar.
Vepra të tilla kanë vlerë në kohë, duke na treguar nevojën për rikthjim të zërit intelektual publik, një zë që, si Sartre dikur, të artikulojë qartë përgjegjësinë dhe të risjellë vëmendjen tek pyetjet themelore: Çfarë do të thotë të jesh njeri në këtë epokë dhe si mund të jetojmë me liri dhe përgjegjësi? Ky rikthim nuk është thjesht nostalgji, por një domosdoshmëri morale për shekullin XXI.
Top Channel