Nga Preç Zogaj
SPAK ka dorëzuar për gjykim në GJKKO, përgjithësisht brenda afateve ligjore, një numër të konsiderueshëm aktakuzash ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë të marrë si të pandehur, ku shquajnë ish-Presidenti dhe ish-Kryeministri, Sali Berisha, ish-Presidenti dhe ish-Kryeministri Ilir Meta, ish-zëvendëskryeministri në arrati, Arben Ahmetaj, ish-zëvendëskryeministrja Belina Balluku, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjion Veliaj dhe plot të tjerë në poste kyçe.
Deri më sot njerëzit kanë dëgjuar palët të flasin në distancë, nga llogoret respektive. Mjedisi është bombarduar me ankesa, sulme, akuza, fyerje dhe deri sharje të shfrenuara të të akuzuarve kundër prokurorëve, sikur këta u kanë rënë në qafë padrejtësisht. Kjo korridë nuk mund të zgjasë pafund. Publiku po pret me interes të madh përballjen sy për sy mes akuzës dhe mbrojtjes në aulën e gjykatës. Aty ku pretenca finalizohet në sentencë dhe drejtësia përmbushet në vendim të formës së prerë.
Kjo pjesë e ndeshjes po vuan të niset apo të vijojë normalisht. Seancat në gjykatë, qoftë për gjykim paraprak, qoftë për gjykim tërësor të akuzave nuk zhvillohen pa ndërprerje në ditët e caktuara.
Nga shtatori i vitit 2024 kur SPAK mbylli hetimet për dosjen “Partizani”, në të cilën akuzohet ish-kryeministri Sali Berisha, ka kaluar rreth një vit e gjysëm. Pasi mori rreth shtatë muaj për gjykim paraprak, kjo dosje kaloi për gjykim tërësor në muajin maj të vitit të kaluar. Jemi në shkurt të vitit 2026. Gjatë gjithë kësaj kohe lajmet më frekuente nga ky proces kanë qenë dështimet dhe shtyrjet e seancave
I njëjti lajm ka tingëlluar si kolona zanore e procesit në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Sipas një investigimi të BIRN, seancat për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për kalimin për gjykim të akuzave ndaj tij kanë dështuar pesë herë për mosparaqitje të avokatëve, disa herë të tjera për zëvendësim të avokatëve dhe për t’u dhënë kohë zëvendësuesve të njihen me dosjen. Derisa GJKKO vendosi së fundi kalimin për gjykim, në mungesë të Veliajt, i cili konteston privimin nga njohja me akuzën.
Dihet se e drejta për një proces të rregullt gjyqësor është një garanci themelore demokratike e garantuar nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetuta jonë. Kjo e drejtë merr jetë në tri shkallët e gjykimit. Që mund të bëhen edhe katër a pesë kur vihen në veprim Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe Gjykata Kushtetuese. Në gjithë këto filtra padrejtësia e ka të pamundur të kalojë si drejtësi.
Vetë ky ekosistem merr kohë derisa të bjerë sipari. Ai u jep mundësi të pandehurve ta ngadalësojnë orën me kërkesa të ligjshme që mund ta vonojnë deri me vite shpalljen e vendimit të formës së prerë.
Si të mos mjaftonin kërkesat e ligjshme, kemi parë dhe shohim të jetë në veprim një strategji vonesash me lloj lloj marifetesh. Të kuptohemi: Strategji të tilla nuk janë në vetvete kriminale nga ana e të pandehurve. Pse të mos e synojnë kur gjejnë hapësira, tolerancë dhe thyerje antiligjore të afateve nga gjykatat? Kjo është një betejë, ku drejtësia ka në dorë armën e afateve ligjore.
Po të akuzuarit? Vimë këtu të çështja e raportit të tyre personal me akuzat. Rëndom strategjitë e vonesave padisin një vetëdije fajësie për t’u dribluar e fshehur në pafundësi. Politikanët, nëse vërtetë ndihen të pafajshëm, janë të interesuar më shumë se askush t’i shkojnë sa më shpejt në fund labirinthit të drejtësisë. Sidomos kur mbajnë poste të larta politike, siç është posti i kryetarit të PD-së, apo administrative, siç është posti i Kryetarit të Bashkisë më të madhe të vendit. Njëlloj edhe ata ish zyrtarë të lartë, që synojnë të rilindin politikisht përmes marrjes së pafajësisë në gjykatë.
Kush ka bindje të brendshme në pafajësinë e vet investohet ta përshpejtojë, jo ngadalësojë procesin. Nëse do të bëntë këtë, me bindjen se është i pafajshëm, Berisha do të hiqte makare njërën prej gjyleve nëpër kembë për t’i prirë PD-së drejt një rezultati pozitiv në zgjedhjet e ardhshme: Gjylen e të pandehurit. Mendoj se nuk mjafton për fitoren pa hequr edhe gjylen e madhe të sanksionimit nga SHBA-të, që nuk varet prej tij. Nuk mjafton as pa rinovimin dhe reformimin e thellë të PD-së. Por do të rritej.
E njëjta gjë mund të thuhet për Erjon Veliaj. Ai është i ri. Pafajësia e rikatapulton në politikë nëse e ëndërron. Nga kjo pikëpamje, betejën numër një ka përballjen me akuzat. Të tjerat janë lëvozhga. Natyrisht, Veliajt, e jo vetëm atij, duhet t’i garantohet e drejta për një proces të rregullt ligjor që përfshin elementin e barazisë së armëve. I cili nënkupton aftësi të barabarta të secilës palë për të paraqitur çështjen e saj.
Pretendimi i Veliajt për akses të drejtëpërdrejtë në aktakuzën ndaj tij duket i drejtë për çdo njeri që dëgjon se ai u dashka të informohet vetëm përmes avokatit. I pandehuri është avokati numër një i vetvetes. E kundërta është jashtë logjikës elementare për drejtësinë e një vendi demokratik. Sido që të jetë shkruar në ligj.
Përtej gjithçkaje që dëgjojmë të thuhet se Veliaj bën të paditurin për të ankimuar shkeljen e së drejtës në Strasburg, ai, duke qenë i dënuar me paraburgim dhe për plot arsye të tjera, duhet të njihet vetë me aktakuzën kundër tij. Numri i stërmadh i faqeve nuk është argument për të kundërtën. Përderisa e lexojnë avokatët për disa ditë, përse të mos e lexojë edhe ai që ka gjithë kohën në dispozicion.
Akuza dhe gjykata nuk kanë pse t’u kontribuojnë vonesave me lojra kungulleshkash si kjo që përmendëm. E thamë: procesi drejt vendimit të formës së prerë vonon vetvetiu, nga natyra. S’ka nevojë për t’i shtuar.
SPAK dhe Gjykatës u bie barra të japin shembullin e efikasitetit sikurse të sfidojnë në përputhje me afatet ligjore strategjitë e vonesës që synojnë ta çojnë në kalenda minutin e rënies së çekiçit të fundmë.
Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar jo vetëm kur vonon të nisë por edhe kur nis dhe nuk mbaron kurrë. Kësaj radhe për gjithë publikun që pret me padurim të mësojë të vërtetën e abuzimeve dhe korrupsionit me vendime gjykate të formës së prerë.
*Drejtor i MAPO
Top Channel