Pakti i mbrojtjes së Kosovës, reagon NATO: Shqipëria dhe Kroacia kontribuojnë në stabilitetin rajonal
Serbia do të rrisë investimet në fushën e mbrojtjes, dhe arsyeja për këtë, sipas presidentit Aleksandar Vuçiç është shqetësimi i thellë që rrethon aleancën mes Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë.
Vuçiç e përsëriti edhe një herë për mediat në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih se ende pret sqarime se çfarë arsyesh ka që po ndërtohet një aleancë ushtarake ndërmjet Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit. Vuçiç paralajmëroi se Beogradi do ta trajtojë këtë zhvillim me seriozitet maksimal.
“Do të marr pjesë në mbledhjen e kolegjiumit të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe do të vizitoj fabrikat e industrisë ushtarake. Serbia do të ndajë fonde shtesë për këtë industri, dhe 30 deri në 40 për qind e prodhimit do të ketë si destinacion nevojat e brendshme”, tha ai.
Marsin e vitit të kaluar, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan një deklaratë bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, me synim forcimin e stabilitetit në Evropën Juglindore. Vuçiç menjëherë e cilësoi ujdinë si një aleancë ushtarake me karakter sulmues ndaj serbëve.
Ministrat e mbrojtjes të tri vendeve janë takuar edhe gjatë muajit shkurt për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes, ndërsa pas një takimi të gjeneralëve më 11 shkurt u bë e ditur se gjatë këtij viti do të zhvillohet stërvitja e parë e përbashkët.
Top Channel