Britania e Madhe lëshon deklaratën e bujshme për vdekjen e Alexei Navalny: Kundërshtari i Putin u vra me një helm nga toksina e bretkosës

14/02/2026 16:39

Udhëheqësi i opozitës ruse, Alexei Navalny, është vrarë me një helm të zhvilluar nga një toksinë e nxjerrë prej një lloji bretkose, njoftoi Ministria e Jashtme britanike.

Sipas autoriteteve britanike, analizat e mostrave biologjike të marra nga trupi i Navalnyt kanë zbuluar praninë e epibatidinës – një substancë shumë toksike, për të cilën Londra zyrtare thotë se “asgjë nuk e justifikon” përse u gjet në organizmin e tij, shkruan BBC.

Duke folur nga Konferenca e Sigurisë në Mynih, sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, deklaroi se vetëm qeveria ruse kishte “mjetet, motivin dhe mundësinë” për të përdorur këtë toksinë vdekjeprurëse kundër Navalnyt gjatë burgimit të tij në Rusi. Ajo u takua në Mynih me bashkëshorten e tij, Yulia Navalnaya.

Sipas Cooper, Moska e konsideronte Navalnyn një kërcënim politik dhe përdorimi i këtij lloji helmi tregon, sipas saj, frikën e thellë të shtetit rus ndaj opozitës.

Britania është mbështetur në këto akuza edhe nga Suedia, Franca, Holanda dhe Gjermania. Londra zyrtare bëri të ditur se e ka informuar Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike për një shkelje të dyshuar të Konventës për Armët Kimike nga ana e Rusisë.

Alexei Navalny, i njohur si aktivist kundër korrupsionit dhe figura më e spikatur e opozitës në Rusi, vdiq më 16 shkurt 2024 në moshën 47-vjeçare, ndërsa vuante një dënim me burg në një koloni penale në Arktik. Ai kishte kaluar tre vite në burg me akuza që mbështetësit e tij i kanë cilësuar si të montuara politikisht.

Navalny ishte helmuar edhe në vitin 2020 me agjentin nervor Novichok, përpara se të dërgohej për trajtim në Gjermani. Pas kthimit në Rusi, ai u arrestua menjëherë në aeroport.

Bashkëshortja e tij, Yulia Navalnaya, ka këmbëngulur vazhdimisht se ai u helmua gjatë kohës që vuante dënimin. Pas njoftimit të fundit të Londrës, ajo deklaroi se kishte qenë e bindur që nga dita e parë se burri i saj ishte helmuar dhe se tani, sipas saj, ekzistojnë prova.

Kremlini nuk ka reaguar ndaj akuzave të reja. Presidenti rus, Vladimir Putin, një muaj pas vdekjes së Navalnyt, iu referua shkurtimisht rastit duke thënë se “humbja e një personi është gjithmonë një ngjarje e trishtë”, pa e përmendur atë me emër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB