Operacioni nga DVP Korçë u finalizua mbrëmjen e djeshme, ku sipas informacioneve mësohet se 3 persona kanë rënë në pranga.

Pas informacioneve të marra nga policia, janë zhvilluar kontrolle në një lokal në fshatin Zëmblak të Maliqit ku është gjetur një pjesë e lëndës narkotike.

Më pas, janë kontrolluar banesat e personave dhe mjetet, ku në një prej mjeteve është gjetur dhe një pjesë tjetër e drogës. Të tre personat janë ndaluar dhe janë shoqëruar në ambientet e drejtorisë vendore të policisë ku po vijojnë veprimet për rastin.

Nga ana e policisë së Korçës vijojnë kontrollet dhe hetimet për personat që mund të jenë të përfshirë në prodhim e shitje të lëndëve narkotike.

Pritet njoftimi zyrtar nga policia e Korçës për arrestimin e tre personave dhe sekuestrimin e lëndës narkotike.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Zëmblaku”.

Përdorte lokalin e tij për të shitur lëndë narkotike, kapet dhe arrestohet në flagrancë 36-vjeçari.

Vihen në pranga dhe 2 shtetas të tjerë, bashkëpunëtorë të dyshuar të tij.

Sekuestrohet një sasi me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, një sasi me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, një shumë monetare, një armë gjahu pa leje, dy automjete, tre celularë dhe një DVR.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se në ambientin e një lokali shitej lëndë narkotike, kanë organizuar punën dhe si rezultat me mbështetjen e Forcave të Posaçme “Shqiponjat”, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Zëmblaku”. Në kuadër të operacionit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

-A. C., 36 vjeç, banues në Korçë;

-A. H., 44 vjeç, banues në fshatin Zëmblak, Maliq;

-P. Gj., 34 vjeç, banues në Korçë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin bar-kafe në pronësi të shtetasit A. C., në fshatin Zëmblak, Maliq, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, një shumë monetare, një armë gjahu teke pa leje, 3 celularë dhe 1 DVR.

Gjithashtu shërbimet e Policisë ushtruan kontroll në automjetin në pronësi të 36-vjeçarit dhe në automjetin në pronësi të shtetasit A. H., në të cilin u gjet dhe sekuestrua një sasi me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sattiva.                                                                                                                                                                                                                                                                                        Nga hetimet e kryera dyshohet se shtetasi P. Gj., kishte rolin e porositësit, shtetasi A. H., të transportuesit të lëndës narkotike, ndërsa pronari i lokalit A. C., dyshohet se do të kryente shitjen e sasisë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një sasi me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, një sasi me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, një shumë monetare, një armë gjahu pa leje, dy automjete, tre celularë dhe një DVR.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB