“Ndihej zhgënjimi dhe lodhja”/ Ish-presidenti Meidani kujton takimin e fundit me ish-krerët e UÇK: Kur u kthyen nga Parisi ndaluan në Rinas dhe…

12/02/2026 21:47

Prokuroria e Gjykatës Speciale në Hagë ka kërkuar dënime në 180 vite burg për udhëheqësit e UÇK-së.

Ky zhvillim ka hapur debat të madh në Kosovë dhe Shqipëri, me shumë zëra që thonë se po rishkruhet historia e Kosovës.

Ish-presidenti Reixhep Meidani, që ka kryer detyrën nga viti 1997 deri në 2002, pra gjatë gjithë periudhës së luftës së Kosovës dhe pas saj ka kujtuar takimin e fundit që ka pasur me Thaçin, Krasniqin, Veselin dhe Selimin kur ata u kthyen nga Parisi për të shkuar në Kosovës.

Në një intervistë me gazetaren e Top Channel, Kristi Gongo, Meidani kujton takimin e fundit në Rinas, të shoqëruar më ambasadorët francez, ndërsa do të ktheheshin për në Kosovë, për të marrë miratimin e strukturave përkatëse.

Po ashtu ish-presidenti ka kujtuar edhe takimin në Hagë, ku sipas tij ish-krerët ishin të lodhur dhe të zhgënjyer për akuzat.

“Edhe në kohën kur e kam takuar Hashim Thaçin, Krasniqin, Veselin dhe Selimin në burgun e Hagës, ato këtë bindje kishin dhe më thanë që kjo akuzë është hequr. Nuk ekzistonte më dhe po ndryshohej vetë akuza, nga trafikim organesh në një organizatë kriminale, është e qartë që fillojnë ato bishtat të kthehen në kolona të mëdha dhe bëhen tepër serioze. Ata janë takuar me mua, takimi i fundit ka qenë kur u kthyen nga Parisi, dhe meqë nuk u arrit marrëveshja, Hashimi me shokët u kthyen në Kosovë për të marrë miratimin e strukturave.

Në kthimin nga Parisi, ndaluan në Tiranë, ishin me avion francez, shoqëruar nga ambasadori i Francës, ndaluan në Rinas dhe aty kam bërë takimin e fundit. Hashimin e mora në krah, por ambasadorët francez dukeshin të shqetësuar. Me zhvendosjen për në Kosovë, nuk u zhvendosën më tutje për në Maqedoni dhe pastaj në Kosovë, por grupi i UÇK kaloi nga kufiri i Shqipërisë.

Në Hagë situata nuk ishte shumë e këndshme, kuptohet që nga pikëpamja psikologjike nuk ishte pozitive, ndihej lodhja, zhgënjimi, Rexhepi bënte përjashtim sepse e mbante humorin duke përdorur dhuntinë e tij artistike, por dukeshin që e ndjenin zhgënjimin. Kur e kujtoj sot, them që kanë pasur të drejtë”, tregon ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB