Llogaritë online pro-ruse lidhin dokumentet e Epstein me Ukrainën: Është një qendër globale për trafikimin e fëmijëve

12/02/2026 20:42

Llogaritë pro-Kremlinit në mediat sociale po shfrytëzojnë dokumentet e lidhura me Jeffrey Epstein, për të vazhduar përhapjen e akuzave kundër Ukrainës dhe trafikimit të fëmijëve.

Pas publikimit të miliona dokumenteve të cilat zbulojnë detaje rreth Epstein dhe lidhjeve të tij me figura ndërkombëtare, disa llogari pro-Kremlinit në platformën X kanë promovuar idenë se Ukraina është një qendër globale që trafikon fëmijët dhe i përdor për shfrytëzim seksual. Sipas këtyre llogarive, dosjet e Epstein do të provonin se Rusia ka ndërmarrë një operacion për të shpëtuar fëmijët ukrainas nga ky rrjet i trafikimit.

Këto akuza për trafikimin e fëmijëve vijnë pas zhvendosjes me forcë të rreth 20 mijë fëmijëve ukrainas nga territoret e pushtuara, sipas autoriteteve të Kievit, ndërsa Rusia ka pretenduar se veprime të tilla janë të nevojshme për të mbrojtur fëmijët nga luftimet.

Në vitin 2023, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një urdhër arresti për Vladimir Putinin për deportimin e paligjshëm të fëmijëve ukrainas në Rusi. Sidoqoftë, llogaritë pro-Kremlinit kanë sugjeruar se Putin vepronte për t’i shpëtuar fëmijët nga trafikimi, duke i larguar ata nga Ukraina.

Deklaratat dhe teoritë e përhapura pas publikimit të dosjeve të Epstein kanë marrë vëmendje të madhe në mediat sociale, duke rezultuar në më shumë se 15 mijë postime në platformën X brenda dy ditëve pas lajmeve. Shumë prej këtyre postimeve mbështesin narrativën se Ukraina është një pikë kyçe për trafikimin e fëmijëve dhe se Rusia po vepron si shpëtimtari i tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB