Skandali i abuzimit me tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit po merr përmasa të reja.

Pas finalizimit të dosjes hetimore të SPAK ndaj drejtueses së institucionit, Mirlinda Karçanaj, dhe disa operatorëve ekonomikë, opinioni publik u përqendrua tek emrat që dolën në sipërfaqe. Por ajo që u bë virale mund të mos përkojë plotësisht me atë që tregojnë dokumentet e tenderave.

Në dosje përmenden emra si Ermal Beqiri, Gerond Meçe, Daniel Shima dhe të tjerë. Megjithatë, analiza e procedurave konkrete të prokurimit sugjeron se pesha reale e përfitimeve lidhet me strukturat që kanë qenë drejtpërdrejt pjesë e kontratave dhe firmosjeve.

Zbërthimi i materialeve hetimore evidenton përfitime rreth 21 milionë euro të një kompanie të lidhur me kunatin e Ermal Beqirit.

Në të njëjtën kohë, shfaqen transaksione mbi 11 milionë euro mes subjekteve si ABS dhe Albascan — marrëdhënie të përsëritura që tregojnë një rrjet financiar më të gjerë sesa episodet e para të hetimit. Në dokumentarin e kësaj jave, Inside Story ndjek pikërisht këtë rrugë të parave.

Nga përplasja për tendera mes operatorëve ekonomikë, tek rikthimi i ndikimit në procedura pas goditjes së rivalit Ermal Beqiri, biznesmeni Gerond Meçe shfaqet sërish në disa procese të lidhura me AKSHI-n. Një tjetër pikë që ngre pyetje është pse episodi i pretenduar i pengmarrjes u denoncua me vonesë dhe si lidhet ai me konfliktet për tendera dhe ankimimet e shumta. Por historia nuk ndalet tek rivalitetet.

Për herë të parë, Inside Story analizon rolin e ish-zëvendësdrejtorit të AKSHI-t, Daniel Shima, firmëtar në disa prej procedurave që sot janë në verifikim.

Dokumentari ndalet tek rrjeti i kompanive të lidhura me persona pranë tij dhe zgjerimi i konsiderueshëm i investimeve të realizuara në të njëjtën periudhë me tenderat.

Një element që ka ngjallur diskutim është fakti se nëna e tij, e cila sipas të dhënave rezultonte me profesion rrobaqepëse dhe me aktivitet ekonomik modest, është shfaqur si aksionere në kompani që më pas kanë realizuar investime të konsiderueshme në troje dhe ndërtime me vlerë miliona euro. Kalimi i aksioneve me vlera minimale dhe ndryshimet e pronësisë në periudha kyçe janë pjesë e analizës së emisionit.

Nga vila rezidenciale, tek troje, ndërtesa shërbimi, pallate, aktivitete tregtare, rrjet lavazhesh dhe kompani në fusha të ndryshme — dokumentet tregojnë një zgjerim ekonomik që përkon me periudhën e tenderave. Historia shtrihet edhe përtej kufijve.

Përmes “ABS Kosova” dhe transaksioneve ndërkufitare, dalin lëvizje që sipas burimeve janë në vëmendjen e autoriteteve të huaja, përfshirë hetues në Gjermani, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional.

Përpos dosjes aktuale, SPAK ka në proces edhe fraksione të tjera hetimore që përfshijnë dhjetëra tendera me vlerë të konsiderueshme. Mes procedurave në verifikim shfaqen sërish kompani dhe firmëtarë që kanë qenë pjesë e strukturës së vendimmarrjes.

Top Channel po shqyrton materiale dhe denoncime të reja që lidhen me procedura prokurimi dhe transaksione në verifikim.Ndërkohë, hetimi i SPAK vijon dhe pritet të sqarojë jo vetëm rolin e personave të përmendur, por edhe mënyrën se si kanë funksionuar strukturat që menaxhuan këto fonde. Çështja mbetet në proces hetimor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB