Trump takohet me Netanyahun, në bisedë në fokus është Irani dhe kërcënimi i këtij vendi ndaj Izraelit

11/02/2026 12:16

Presidenti amerikan Donald Trump do të presë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë, në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme janë në rritje dhe përpjekjet për të arritur një marrëveshje mbi programin bërthamor të Iranit janë intensifikuar.

Netanyahu duket se ka ndërmend t’i kërkojë Trumpit të mbështesë një marrëveshje që ndalon pasurimin e uraniumit nga Irani, si dhe të përfshijë kufizime mbi programin e raketave balistike dhe ndërprerjen e mbështetjes për grupet aleate të Teheranit, si Hamasi dhe Hezbollahu.

Ai i mëshon idesë se Izraeli e konsideron Iranin një kërcënim serioz për sigurinë e tij dhe kërkon që çdo marrëveshje t’i zgjidhë plotësisht këto shqetësime.

Nga ana tjetër, Irani ka deklaruar se nuk do të pranojë kufizime të reja pa një lehtësim të ndjeshëm të sanksioneve perëndimore, të cilat kanë dëmtuar ekonominë e vendit.

Ndërkohë, SHBA-ja ka shtuar praninë ushtarake në rajon, me Trump që ka paralajmëruar të kalojë në aksion nëse nuk arrihet një marrëveshje. Zyrtarët izraelitë konsiderojnë se shteti hebre rezervon të drejtën të ndërmarrë veprime ushtarake ndaj Iranit nëse diplomacia dështon.

Sipas analistëve, Netanyahu përballet gjithashtu me presion të brendshëm për të siguruar një marrëveshje që përmbush plotësisht kërkesat e sigurisë së Izraelit, në një kohë kur po shfaqen shqetësime se SHBA-ja mund të fokusohet më shumë te arritja e një marrëveshjeje sesa te përmbajtja e saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB