SHBA lëshon dy baza të NATO-s, Komanda e Napolit dhe Norfolkut u kalon aleatëve evropianë të aleancës

11/02/2026 12:14

Në atë që shihet si një tjetër hap prapa i Shteteve të Bashkuara brenda NATO-s dhe, si pasojë, një hap përpara për vendet evropiane, bazat e Napolit dhe Norfolkut kalojnë tek aleatët.

Komanda supreme ushtarake e Aleancës mbetet ende në duart e SHBA-së, konkretisht nën drejtimin e gjeneralit Alexus Grynkewich, i cili mbikëqyr të gjitha operacionet nga selia qendrore në Mons, Belgjikë.

Megjithatë, Komiteti Ushtarak i NATO-s, i përbërë nga përfaqësuesit e 32 vendeve anëtare, konfirmoi vendimin për rishpërndarjen e posteve drejtuese në tre qendrat operative, të ashtuquajturat “Joint Force Command”, të cilat i përgjigjen drejtpërdrejt urdhrave të Grynkewich.

Shtetet e Bashkuara do t’ia dorëzojnë Italisë drejtimin e Komandës së Napolit, ndërsa Mbretërisë së Bashkuar drejtimin e Komandës së Norfolkut. Në komandën e tretë, me bazë në Brunssum të Holandës, një gjeneral polak do të bashkëdrejtojë strukturën së bashku me homologun e tij gjerman, Ingo Gerhartz.

Sipas njoftimit në faqen zyrtare të NATO-s, këto ndryshime do të realizohen gradualisht gjatë viteve në vijim. Në fakt, nuk ekzistojnë rregulla të përcaktuara qartë për kohëzgjatjen e mandatit të një komandanti në këtë nivel; zakonisht drejtuesit qëndrojnë në detyrë për dy deri në tre vjet.

Në Napoli, admirali i Marinës amerikane George Wikoff mori detyrën më 19 nëntor 2025, çka lë të kuptohet se do të duhet ende kohë përpara se një oficer italian ta zëvendësojë. Megjithatë, ndryshimi i kursit tashmë është i qartë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB