Goditet grupi i strukturuar kriminal në Elbasan/ 3 në pranga, sekuestrohen 45 kg kanabis dhe armë luftarake, plagoset një polic

11/02/2026 20:16
Foto Ilustruese

Një operacion i mirëorganizuar  i zhvilluar në orët e vona të natës së kaluar ka çuar në goditjen e një grupi të strukturuar kriminal që vepronte në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Korrespondentja e Top Channel Bruna Kërçyku raporton se aksioni është realizuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.

Si rezultat i ndërhyrjes, tre persona janë arrestuar në flagrancë, ndërsa në automjetin me të cilin ata lëviznin janë sekuestruar të paktën 45 kilogramë kanabis sativa, një armë luftarake, municion, një sasi e konsiderueshme parash, si dhe disa telefona celularë me karta SIM shqiptare dhe të huaja.

Sipas burimeve policore, operacioni është shoqëruar me ndjekjen e automjetit që dyshohej se transportonte lëndën narkotike. Në hyrje të qytetit të Elbasanit, drejtuesi i mjetit ka kuptuar se po ndiqej nga forcat e rendit dhe ka tentuar të largohej me shpejtësi, duke u futur në një rrugë të pandriçuar në një lagje periferike.

Policia ka rrethuar zonën dhe ka bërë të mundur neutralizimin e automjetit, duke vënë në pranga tre personat që ndodheshin brenda tij.

Gjatë operacionit, një punonjës policie ka mbetur i plagosur  aksidentalisht si pasojë e thyerjes së një xhami, por pa rrezik për jetën.

Hetimet vijojnë intensivisht, pasi dyshohet se grupi kriminal e  ka shtrirë aktivitetin e tij  prej kohësh në të paktën tre qarqe të vendit. Strukturat hetimore po punojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të trafikut të drogës.

Ky operacion konsiderohet një tjetër goditje e fortë ndaj krimit të organizuar dhe trafikimit të lëndëve narkotike në vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB