Pas nisjes së bisedimeve me SHBA, Presidenti i Iranit: Teherani është gati për inspektime të programit të tij bërthamor
Me interes të madh pritet takimi i sotëm mes liderëve të Greqisë e Turqisë në Ankara ku do të zhvillohet gjithashtu edhe Këshilli i 6-të i Bashkëpunimit të Lartë mes dy vendeve.
Mitsiotakis që shkon me një delegacion prej 10 ministrash , ka deklaruar në mënyrë të përsëritur publikisht se do t’i parashtrojë presidentit turk çështjen e casus belli, të ashtuquajturave “zona gri” dhe të çmilitarizimit, tema që janë rikthyer në orët e fundit në qendër të vëmendjes nga pala turke.
Nga ana tjetër, delimitimi i zonave detare – e vetmja mosmarrëveshje që Athina pranon si juridike, nuk është pjesë e agjendës, pasi aktualisht nuk ekzistojnë kushtet për negociata.
Sipas burimeve qeveritare kryeministrit grek, ka si synim kryesor mbajtjen të hapur të kanaleve të komunikimit me Turqinë dhe ruajtjen e klimës së qetësisë në marrëdhëniet mes dy vendeve, në një periudhë me zhvillime të ndjeshme gjeopolitike në rajon. Mesazhi që kërkohet të përcillet është i qartë: pavarësisht dallimeve të thella, Athina dhe Ankaraja vazhdojnë të dialogojnë dhe të menaxhojnë tensionet pa krizë.
Megjithatë, vizita shoqërohet edhe nga disa sinjale politike. Nga delegacioni mungon ministri i Mbrojtjes, Nikos Dendias, një element që interpretohet si përpjekje për të theksuar karakterin politik dhe ekonomik të agjendës, por edhe për të shmangur simbolika që lidhen drejtpërdrejt me çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, ku qëndrimet e dy vendeve mbeten diametralisht të kundërta.
Takimi mes Mitsotakis dhe presidentit Recep Tayyip Erdoğan zhvillohet në orën 15:00, ndërsa në orën 17:00 priten deklaratat e përbashkëta të dy liderëve, ku do të duket edhe klima reale e bisedimeve. Vizita zhvillohet gjithashtu në një moment të veçantë për Ankaranë, pas një mini-riformatimi qeveritar gjatë natës, që përfshiu edhe ndryshime në Ministrinë e Brendshme.
Vizita vjen në vazhdën e një serie takimesh gjatë shtatë viteve të fundit, që pasqyrojnë luhatjet e marrëdhënieve dypalëshe me anulime dhe shtyrje të herëpashershme që tregojnë nivelin e brishtë të besimit mes dy palëve.
Në thelb, marrëdhëniet greko-turke mbeten një ekuilibër i vështirë mes bashkëpunimit dhe rivalitetit. Çështjet e Egjeut, Qipros, hapësirës ajrore dhe sovranitetit territorial vazhdojnë të ndajnë dy fqinjët. Për këtë arsye, më shumë se marrëveshjet konkrete, rëndësi ka vetë fakti që dialogu vazhdon, si një mekanizëm për të shmangur krizat dhe për të mbajtur marrëdhëniet në atë që Athina e quan “ujëra të qeta”.
Top Channel