“Ne po sakrifikojmë për ëndrrën europiane”/ Gjekmarkaj në protestën e opozitës: Kupa është mbushur, Rama hoqi dhe maskën e fundit

10/02/2026 17:57

Partia Demokratike ka mbajtur protestën e tretë kombëtare përpara Kryeministrisë.

Nënkryetari i PD-së, Agron Gjekmarkaj, mori i pari fjalën në podium, duke u shprehur se sistemit të Edi Ramës po i vjen fundi dhe se populli është mbledhur për të rrëzuar qeverinë.

“Sot jemi këtu sepse këtij sistemi po i afrohet fundi. Ka shkelur çdo premtim. Ka dhunuar votën e lirë. Ka mbijetuar politikisht duke shndërruar shtetin në pushtet. Njësimi i partisë me shtetin. Korrupsioni u shndërrua në mënyrë qeverisje. Ne po sakrifikojmë për ëndrrën europiane. Një ëndërr ku kombi ka sakrifikuar për shekuj. Qytetarë të republikës, jemi në një pikë kritike, kupa është mbushur. Në pushtet, për të ruajtur veten, është gati të asgjësojë çdo nuancë të drejtësisë. Ne nuk do ta lejojmë. Dje, Edi Rama hoqi dhe maskën e fundit për të mbrojtur zëvendësen Belinda Balluku.

Kur drejtësia i nënshtrohet pushtetit, demokracia fillon të vdesë ngadalë.

Ne jemi sot këtu, në këtë bulevard, për t’i kthyer Shqipërisë mbi një dekadë jetë të humbur. Nga jugu në veri, qytetarët sot bëhen bashkë në ushtrimin e vështirë të demokracisë. Demokracia është përgjegjësi. Ne jemi sonte këtu të vendosur e të duruar. Ky popull fal shumë gjëra, por nuk fal mashtrimin. Sa shumë jemi sonte. Një mrekulli e kurajës qytetare po ndodh në këtë bulevard. Historia na mëson që Shqipëria është shpëtuar në momentet më të rrezikshme, jo nga rastësia, por nga një projekt kombëtar, i udhëhequr nga elita dhe intelektualët e saj”, tha ndër të tjera Gjekmarkaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB