Indonezia përgatitet të dërgojë deri në 8 mijë trupa në Gaza, paqeruajtësit pjesë e planit të Trump për Lindjen e Mesme

10/02/2026 13:44

Indonezia ka njoftuar se po përgatitet të dërgojë deri në 8,000 trupa në Rripin e Gazës, në kuadër të një force ndërkombëtare stabilizimi të parashikuar në fazën e dytë të planit të paqes të presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme.

Lajmi u konfirmua nga shefi i Shtabit të Ushtrisë indoneziane, gjenerali Maruli Simanjuntak, i cili tha se po trajnohen njësi që mund të shërbejnë si paqeruajtëse, kryesisht në fushat e inxhinierisë dhe shëndetësisë. Sipas tij, bëhet fjalë për një brigadë ushtarake me 5,000 deri në 8,000 trupa, por theksoi se gjithçka mbetet ende në fazë negociatash dhe numri përfundimtar nuk është vendosur.

Nëse realizohet, kjo do të ishte hera e parë që nga viti 1967 që trupa të huaja do të vendosen në Gaza, duke e bërë misionin historik dhe duke futur Indonezinë, vendin mysliman, në qendër të një prej konflikteve më të ndërlikuara të Lindjes së Mesme.

Sipas medias publike izraelite, një zonë në jug të Gazës, mes Rafahut dhe Khan Younisit, është parashikuar si bazë për trupat indoneziane. Megjithatë, roli i forcës ndërkombëtare mbetet i paqartë, pasi vendet kontribuuese kanë shprehur hezitim për t’u përfshirë në çarmatosjen e Hamasit.

Plani i presidentit Trump parashikon që Gaza të qeveriset përkohësisht nga një administratë teknokratësh palestinezë, me mbështetjen e një force policore palestineze të trajnuar në Jordani dhe Egjipt, ndërsa siguria do të garantohej nga një forcë ndërkombëtare.

Vendosja e trupave të huaja, veçanërisht nga një vend islamik, pritet të hasë kundërshtime të forta nga e djathta ekstreme izraelite, e cila e sheh këtë si një hap drejt krijimit të shtetit palestinez.

Presidenti i Indonezisë, Prabowo Subianto, i është bashkuar gjithashtu “bordit të paqes”, një grup liderësh botërorë i udhëhequr nga presidenti Trump, që synon të mbikëqyrë procesin e paqes në Gaza.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB