Fiks Fare/ E shtypën në mes të rrugës, e lanë 20 ditë në reanimacion dhe e shpallën si ‘vdekje natyrale’. Fajtori i lirë, familjarët: Drejtësi për nënën

10/02/2026 20:50

Një rast i rëndë, me pasoja fatale dhe me shumë pikëpyetje mbi veprimet e drejtësisë dhe institucioneve shëndetësore, është denoncuar në emisionin investigativ Fiks Fare nga një qytetar i Durrësit.

Nëna e tij humbi jetën si pasojë e një aksidenti rrugor, ndërsa autori i dyshuar i ngjarjes është lënë i lirë. Ajo që e bën edhe më tronditës këtë rast është fakti se në skedën zyrtare të vdekjes, shkaku është shënuar “vdekje natyrale”, pavarësisht se viktima kishte kaluar 20 ditë në reanimacion pas aksidentit.

Sipas denoncimit, më 27 dhjetor, e moshuara u aksidentua në lagjen ku banonte, teksa po kalonte rrugën. Një automjet e goditi dhe, sipas pamjeve filmike të siguruara nga Fiks Fare, drejtuesi i mjetit ka lëvizur makinën mbrapsht, duke e lënë gruan poshtë saj.

Qytetarë të rastit janë detyruar të ngrenë automjetin me duar për të nxjerrë të moshuarën, e cila u transportua me urgjencë në spital. Ajo qëndroi për 20 ditë në reanimacion, në gjendje të rëndë shëndetësore, deri sa ndërroi jetë.

Familjarët shprehen të tronditur nga fakti se autori i dyshuar, një i ri 24-vjeçar, është lënë i lirë. Ata deklarojnë se nuk e njohin dhe se nuk kanë marrë informacion të plotë nga institucionet, përveç një vendimi gjykate ku është caktuar vetëm masa e “detyrimit për paraqitje” dhe ndalimi i daljes jashtë shtetit.

Sipas familjarëve, Prokuroria e Durrësit kishte kërkuar masën e arrestit, por gjykata vendosi një masë më të lehtë. Ajo që bie më shumë në sy në vendimin gjyqësor, të siguruar nga Fiks Fare, është deklarata e përfaqësuesit të organit të akuzës, i cili gjatë seancës ka pohuar se e aksidentuara “ka qenë jashtë rrezikut për jetën”, ndërkohë që ajo ndodhej në reanimacion deri në momentin e vdekjes.

Gazetarët e Fiks Fare iu drejtuan Prokurorisë së Durrësit për të marrë informacion lidhur me kërkesën e prokurorit në gjykatë, si dhe për të mësuar nëse ndaj drejtuesit të mjetit ishte kryer testi i alkoolit dhe cili kishte qenë rezultati. Edhe pse afatet ligjore për përgjigje kanë kaluar, prokurori i çështjes, Sokol Nishani, nuk ka kthyer asnjë reagim.

Ndërkohë, familjarët kanë siguruar skedën e vdekjes, ku shkaku i humbjes së jetës nuk lidhet me aksidentin rrugor, por është shënuar “vdekje natyrale”. Ky fakt ka shtuar dyshimet dhe revoltën e familjes, e cila kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Gazetarët kontaktuan edhe mjekun, vula e të cilit ndodhet në skedën e vdekjes. Ai e pranoi gabimin, duke e cilësuar si një “lapsus momenti”. “Më vjen turp për këtë që ka ndodhur. Nuk kam mbrojtur autorin dhe as nuk e njoh. Në përshkrim më poshtë kam shkruar ‘traumë’. Ka qenë një gabim i çastit”, u shpreh mjeku.

Familjarët e viktimës deklarojnë se nuk do të ndalen derisa çështja të zbardhet plotësisht. Vajza e të ndjerës shprehet e vendosur: “Nëse shteti nuk i jep dënimin e merituar autorit, ne nuk e falim vdekjen e nënës sonë.”

FOTO GALERI
6/9

Top Channel

DIGITALB DIGITALB