Debati për sigurinë ushqimore/ Mazhoranca e opozita përplasen në Komisionin e Bujqësia, rrëzohet projektligji për analizat laboratorike

10/02/2026 19:50

Komisioni për Bujqësinë dhe Ushqimin me 8 vota kundër të mazhorancës dhe tre pro të opozitës, refuzoi të dërgojë në parlament Projektligjin “Për domosdoshmërinë e kryerjes së analizave laboratorike për ndotësit ushqimorë”, me pretendimin se një gjë e tillë do të jetë pjesë e paketës ligjore të kontrolleve zyrtare që Ministria e Bujqësisë po harton sipas modelit të BE.

Por sipas deputetëve nismëtarë të këtij projektligji, logjistika laboratorike e ISUV dhe AKU-së nuk po mbron prodhimin e fermerëve.

“Mungesa e laboratorëve për kontrollin e ushqimeve është bërë sot shkak që shumë nga eksportet të penalizohen”, u shpreh deputeti i PL, Tedi Blushi.

Përfaqësuesit e Ministrisë që duhet të garantojnë siguri ushqimore, e shfajësuan sistemin me elementin financiar.

Arjan Jaupllari, zv/ministri i Bujqësie dhe Zhvillimit Rural tha: “Arsyeja e parë është edhe tregtare, dhe e dyta është ajo që shpesh herë analizat kanë qenë me mbetje.”

Ndërkohë, investigimet e Top Channel u bënë pjesë e mbledhjes në Kuvend, por zv.ministri i Bujqësisë, Arjan Jaupllari, injoroi faktet e dokumentarit të Inside Story, për prezencën e metalëve të rënda në produktin e bukës.

“Pash një emision të ditëve të fundit dhe ata njerëz që dalin e flasin në emër të ligjit duhet të dalin të përballen”, tha Jaupllari.

Por, ndryshe nga bujqësia me ngjyra që sheh zv.ministri, deputetët e komisionit i pasqyruan realitetin që Jaupllari refuzon ta shohë.

“Por kjo nuk do të thotë që nuk ka problematika. Ne sa herë shkojmë në sera na thonë: ‘Do pak domate të pakontaminuar, sepse këtë pjesën tjetër e kam për eksport.’”, u shpreh deputeti i PS, Fadil Nasufi.

Projektligji i refuzuar, sipas deputetes Erisa Xhixho, do të rriste sigurinë ushqimore dhe do të afronte më shpejt Shqipërinë me Europën: “Rastet e evidentuara të salmonelës në produktet e mishit, prania e pesticideve, metalet e rënda kanë treguar dobësitë e mekanizmave të mbrojtjes. Projektligji synon të mbyll këtë vakum ligjor duke përafruar legjislacionin shqiptar me direktivat e BE.”

Blendi Klosi tha: “Mendoj se ngritja e këtyre alarmeve populiste që tregojnë gjysmë të vërteta është një nga gabimet më të mëdha që mund t’i bëjmë nënave të reja që ushqejnë fëmijët.”

Pa garantimin e sigurisë ushqimore, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian mbetet një objektiv i paarritshëm. Për këtë arsye, Ministria e Bujqësisë ka menduar që në 7 pikat kufitare të ndërtojë qendra laboratorike ushqimore për të analizuar produktet vendase dhe ato të importit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB