Japonia synon t’i bashkohet “Kupolës së Artë”, kryeministrja Takaichi pritet të takohet me Trump në Uashington
Donald Trump ka kritikuar ashpër shfaqjen në pushimin e Super Bowl LX, me protagonist Bad Bunny, duke e cilësuar atë si “një nga më të këqijat në histori” dhe “një fyerje për madhështinë e Amerikës”.
Në një postim të gjatë në Truth Social, publikuar vetëm pak minuta pas përfundimit të shfaqjes, Trump shkroi se performanca ishte “absolutisht e tmerrshme” dhe se nuk përfaqësonte “standardet e suksesit, kreativitetit apo përsosmërisë” që, sipas tij, karakterizojnë Shtetet e Bashkuara.
Kritikat e Trump u përqendruan te fakti që repertori i Bad Bunny ishte plotësisht në gjuhën spanjolle, si dhe te koreografia e shfaqjes, të cilën ai e përshkroi si “të neveritshme”, veçanërisht për fëmijët që e ndoqën spektaklin. “Askush nuk e kupton asnjë fjalë që po thotë ky djalë dhe vallëzimi është i neveritshëm… kjo ‘shfaqje’ është thjesht një shuplakë në fytyrë për vendin tonë”, shkroi Trump.

Ai shtoi se shfaqja nuk kishte asgjë frymëzuese dhe parashikoi se do të merrte vlerësime pozitive nga ajo që ai e quajti “Media e Lajmeve të Rreme”, të cilën e akuzoi se nuk ka kontakt me realitetin.
Performanca e Bad Bunny përfshinte një sërë referencash për vendlindjen e tij, Porto Rikon, duke sjellë elemente të bukurisë natyrore të ishullit në qendër të stadiumit Levi’s. Në fund të setit, artisti mbajti lart një top futbolli me mesazhin “Së bashku jemi Amerika”, ndërsa në një ekran gjigant u shfaq slogani “E vetmja gjë më e fuqishme se urrejtja është dashuria”.
Trump e mbylli reagimin e tij me kritika ndaj “rregullit të ri qesharak të Kickoff”, të cilin më herët e kishte quajtur një simbol të “futbollit të ndyrë”. Rregulli synon të mbrojë lojtarët nga përplasjet e dhunshme ballë për ballë, të cilat lidhen me probleme serioze shëndetësore si encefalopatia traumatike kronike.
Top Channel