Opinion/ Preç Zogaj: “Reforma” e reformës nuk mund të jetë me heq foshnjën nga vaska

08/02/2026 16:14

Nga Preç Zogaj*

Reforma në Drejtësi në vitin 2016 u konceptua si një përgjigje sui generis kundër pandëshkueshmërisë sui generis në sferat e larta të politikës dhe krimit në Shqipëri. Partnerët amerikanë dhe europianë shfytëzuan “vullnetin” dhe draftet periferike të PS-së e PD-së për të ndërfutur në projektin përfundimtar krijimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Gjykatës së Posaçme (GJKKO) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) jashtë vartësisë nga qeveria.

Sui generis fenomeni. Sui generis zgjidhja. Thënë popullorçe: si i donte mushka drutë. Kjo reformë mori nam në botë dhe zgjoi pritshmëri të mëdha në vend në radhë të parë për këtë premtim. Pavarësisht se Reforma ishte një korpus dispozitash që sollën pastimin e drejtësisë përmes vetingut dhe një ndryshim të madh në gjithë organizimin e sistemit të drejtësisë si korporatë vetvepruese.

Vështirësitë e pritshme të fillimit nga zeroja, sulmet pa mbarim të PD-së dhe kreut të saj Sali Berisha, munzat herë nga prapaskena, herë nga bregu të kryeministrit Edi Rama, kërcënimet e grupeve kriminale – të gjitha këto nuk e kanë penguar dot SPAK-un të shënojë një histori suksesi të panjohur në historinë e shtetit shqiptar. Sidomos këto tre – katër vitet e fundit. Dhjetra zyrtarë dhe ish zyrtarë të lartë të çuar në gjykatë për korrupsion apo shpërdorim detyre me pasoja korruptive, ku shquajnë dy ish Kryeministra dhe ish Presidentë, Berisha dhe Meta. Dy zevëndëskryeministra, Ahmetaj dhe Balluku në hetim, ministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë të dënuar, në gjykim ose në hetim. Afera korruptive grandioze me përfshirje politike bipartizane si ato që lidhen me Bankers Petruleum dhe Kurum po hetohen. Vrasjet e 21 janarit po hetohen. Të tjera afera janë në radhë për t’u hetuar. Dhjetra organizata kriminale janë hetuar apo në hetim, rreth 300 milionë euro të sekuestruara nga pasuritë e krimit, sipas burimeve të verifikueshme nga vetë institucioni i akuzës.

SPAK ka normalizuar hetimin në sferat e larta, ka zgjidhur krizën e drejtësisë sonë në burim. Nuk ka më të paprekshëm, nuk ka më mbi ligjin. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme, që po i prin shteformimit tonë perëndimor dhe integrimit tonë në BE.

Me shembullin e vet SPAK ka ndikuar pozitivisht organet e tjera të drejtësisë. Përplasjet e ekzekutivit me drejtësinë janë sot në thelb një provë e pavarësisë së dy pushteteve nga njëri-tjetri.

Ndërkaq, zbatimi i Reformës në Drejtësi ka vijuar të zvarrisë si gjyle nepër këmbë dy probleme të mëdha që kërkojnë zgjidhje. Njëri është ai i stokut të madh të dosjeve, kryesisht për shkak të boshllëqeve që ka krijuar vetingu i gjyqtarëve. Ky problem i karakterit administrativ nuk ka lindur sot. Ai ka qenë i parashikueshëm që kur nisi vetingu dhe mjaft magjistratë po skartoheshin nga sistemi. Qeveria ka përgjegjësinë që nuk i ka paraprirë në kohë me zgjidhje, por e ka lënë të bëhet ulërimë për viktimat e drejtësisë së vonuar apo të mohuar.

Së fundi KLGJ miratoi dyzet e një vende vakante për ndihmës ligjorë në gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit. Masa të tjera mund të merren e po merren, siç janë shtimi i pranimeve në shkollën e magjistraturës, zgjidhja me ndërmjetësim ose arbitrazh i një kategorie mospajtimesh e konfliktesh që sot i trajtojnë gjykatat. Në kuadër të krizës për magjistratë, qeveria mund të konsiderojë rikthimin në sistem, nëse do e donin, të gjyqtarëve dhe prokurorëve të larguar politikisht nga vetingu, në shkelje flagrante të pikës 4 të shkronjës D të dispozitave kalimtare kushtetuese, në të cilën sanksionohej se subjekti mund të shkarkohet vetëm kur provohet se ka dyfishin e pasurisë së ligjshme. Ka pasur plot magjistratë që janë shkarkuar me tendencë për vlera dhjetë herë a shumë më të vogla se pasuria e provuar me dokumente. Janë në Strasburg shumë syresh. Mund të merrren pa pritur gjykimin.

Problemi i dytë i madh që na turpëron para botës është numri i të paraburgosurve, më i lartë se numri i të burgosurve, një fenomen i krijuar në mbi nëntëdhjetë përqind të rasteve nga prokuroritë dhe gjykatat e zakonshme. Për t’i dhënë fund këtij teprimi qeveria dhe parlamenti le të marrin rekomandimet e fundit të një grupi ekpertësh nga Këshilli i Europës, le të kërkojnë ekspertizë altarnative diku tjetër po ta shohin të arsyeshme dhe t’i bëjnë ligj.

Kaq është. S’ka nevojë për kuje teatrale. Kryeministri është në detyrë për zgjidhje, jo për të vënë kuje. Kuje të cilat, përveçse nxjerrin zbuluar mungesën e largpamësisë së tij për t’u dalë përpara me zgjidhje që në ebrion problemeve, konfondojnë thelbin e reformës historike të drejtësisë me efekte kolaterale anësore të saj përgjatë zbatimit.

E njëjta gjë me fushatën e përditshme plot anatema populiste denigruese dhe fyese kundër shoqatave të gjyqtarëve që kanë kërkuar në Gjykatën Kushtetuese një të drejtë, sipas tyre, të mohuar. Një çeshtje strikte ligjore. Kryeministri mund të mendojë se rrogat e gjytarëve janë të larta. Mund të shprehet për këtë. Por “revolta” e tij se pse një komunitet profesionistësh po kërkon në gjykatë një të drejtë që mendon se i është mohuar, është një absurditet i paparë. Është ofendim edhe për Gjykatën Kushtetuese. Sa herë ka hapësira ligjore, do të ketë automatikisht njerëz që do të kërkojnë t’i shfrytëzojnë ato për interesin e tyre. Kryeministri s’ka përse kërcënon. Ai, po të dojë, mbyll hapësirat ligjore.

Çfarëdo halli të ketë, edhe atë të parave, me fjalorin dhe tempizimin e tij, Rama investon urrejtje në publik ndaj drejtësisë në përgjithësi. Duke instrumentalizuar e përgjithësuar raste të shkëputura, gabime individësh, pasoja të parashikueshme të përgjegjësisë së tij si ato me stokun dhe paraburgimet. Por pa u fshehur dot prapa gishtit se ku i dhëmb e me kë e ka në të vërtëtë. Me SPAK e ka e gjithë kasta. Me hetimin. Pastaj me GJKKO. Rama mund të jetë i fundit i të penduarve pse e votuan këtë “përbindësh”. Është në dorën e tij të mos vazhdojë të jetë. Të mos i bëhet pëngesë drejtësisë aty ku është thirrur të shprehet me votë, siç është kërkesa e SPAK për t’i hequr imunitetin Belinda Ballukut. Të rreshtë së paralajmëruari “reformën” e reformës. SHBA dhe Europa po shohin. Sigurisht, Qeveria dhe parlamenti janë të mirëpritur të heqin ujin nga vaska e drejtësisë për aq sa ka. “Foshnjen” jo. S’duhet as ta mendojnë. Kushton shumë shrenjtë. Për integrimin e vendit në BE, për aleancën me SHBA. E çetera, e çetera (e të tjera e të tjera), siç thotë avokat Ngjela.

*Drejtor i MAPO

Top Channel

DIGITALB DIGITALB