I shpallur në kërkim në të gjithë Europën për trafikim të lëndëve narkotike, vihet në pranga 43-vjeçari shqiptar në Itali

08/02/2026 13:35

Një shqiptar 43-vjeçar, anëtar i një organizate të madhe të trafikut ndërkombëtar të drogës, u arrestua nga Policia italiane në zonën e Vittorias në Itali.

Ai ishte shpallur në kërkim në të gjithë Europën me urdhër-arrest të lëshuar nga autoritetet belge për krime të rënda lidhur me prodhimin dhe trafikimin e narkotikëve.

Operacioni u krye si pjesë e bashkëpunimit ndërkombëtar policor, pas një alarmi të dërguar nga Drejtoria Qendrore e Policisë Kriminale e Departamentit të Sigurisë Publike.

Hetuesit e Skuadrës Fluturuese të Raguzës nisën hetime të targetuara, që çuan në gjetjen e tij të fshehur në një shtëpi në Scoglitti, një fshat bregdetar në komunën e Vittorias.

Pas kryerjes së formaliteteve të zakonshme, shqiptari u dërgua në burgun e Raguzës, ku mbetet në dispozicion të autoriteteve gjyqësore italiane, të cilat do të vendosin mbi një eventuale ekstradim drejt Belgjikës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB