Edhe pse kanë kaluar disa ditë nga përmbytjet, pasojat vazhdojnë të ndjehen ende.
Një nga zonat që u dëmtua rëndë ishte fshati Hing dhe Samaticë të bashkisë Dimal. Në këto zona ende nuk ka asnjë ndihmë për përmbytjet e shkaktuara nga dalja e lumit Seman.
Sasia e madhe e ujit ka përmbytur toka bujqësore dhe kullota, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme për fermerët e zonës.
Situata është veçanërisht e vështirë për blegtorët, të cilët sot përballen me mungesë të bazës ushqimore për kafshët. Foragjerët janë dëmtuar, ndërsa rezervat ushqimore janë shkatërruar nga uji, duke rrezikuar mbijetesën e gjësë së gjallë.
Fermerët shprehen se, pavarësisht kalimit të disa ditëve nga përmbytjet, asnjë ndihmë nuk kanë marrë.
Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente dhe mbështetje financiare, pasi humbjet janë të mëdha dhe mund të kenë pasoja afatgjata për ekonominë e familjeve të tyre.
Top Channel