4.83 miliardë euro qarkullojnë cash në Shqipëri, qytetarët po mbajnë gjithnjë e më shumë para fizike

08/02/2026 21:10

Informaliteti, ulja e besimit në banka, shmangia e komisioneve dhe taksave si dhe tradita e të mbajturit para nëpër duar, janë këto arsyet që po i nxisin më shumë qytetarët drejt cash-it.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se sasia e cashit në ekonomi në 2025 u rrit ndjeshëm, teksa vlera fund të vitit arriti në 4.83 miliardë euro,

Në krahasim me dhjetorin 2024, ku paraja që qarkullonte jashtë bankave ishte gati 4.23 miliardë euro, rritja ka vijuar me 600 milionë euro.

Kjo është vlera më e lartë e arritur ndonjëherë në vitet e fundit. Kjo lëvizje e lartë e parave në dorë, ka kosto të shumta për ekonominë pasi rrit hapësirat për informalitet, e bën më të vështirë luftën ndaj pastrimit të parave, teksa qarkullimi i parasë është i pakontrolluar.

Gjithsej në ekonominë shqiptare qarkullojnë 1.9 trilionë lekë, ndërsa paraja cash përbën 25.4%. Shqipëria ka nivelin më të lartë të parasë jashtë bankave se shtetet e tjera të Rajnit dhe Evropës.

Në Eurozonë, sipas të dhënave nga Banka Qendrore Evropiane, niveli i parasë jashtë bankave ishte rreth 9 për qind e totalit, pothuajse 3 herë më pak se norma në Shqipëri. Në shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor ky tregues është më i ulët se 10 për qind.

Një tendencë rritëse e vazhdueshme e parasë cash pasqyron edhe nivelin e lartë të informalitetit në ekonominë shqiptare.

Për reduktimin e pagesave në dorë, Ministria e Financave ka vendosur tavane të reja si për bizneset në 100 mijë lekë lekë dhe individët 500 mijë lekë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB